Mendohej se mund të ndodhte ndryshe. Çekia kishte mbërritur në Ballkan me shpresën dhe besimin për të marrë rezultat, pse jo edhe fitore, por realiteti në stadiumin e Osijekut ishte krejt tjetër.
Kroacia e tregoi veten sërish se mbetet ndër skuadrat më të forta e më të mira të Europës, pse jo edhe në planet, ndërsa arriti triumfin me shifrat 5-1 në duelin e eliminatoreve të Kupës së Botës.
Edhe pse miqtë barazuan përkohësisht rezultatin në 1-1 me anë të mbrojtësit që luan në Angli, Souçek, sërish katastrofa nuk u shmang.
Sulmuesi Kramariç realizoi dy herë, kapiteni Luka Modriç shënoi me 11-metërsh, ndërsa rrjetën e tundën edhe veterani tjetër Perishiç dhe Budimir.
Për 39-vjeçarin Modriç, ky ishte goli I 28-të në 188 ndeshje për Kroacinë.
Ai është rekordmen për ndeshjet, ndërsa për rrjetat është larg yllit të dikurshëm, Davor Shuker.
Çekia vazhdon ta kryesojë grupin L të eliminatoreve me 9 pikë, por me 4 ndeshje, ndërsa Kroacia është e dyta me 6 pikë, pra me dy fitore në dy ndeshje.
Ndërkaq, spektakël I vërtetë ishte sfida mes Belgjikës dhe Uellsit.
Rezultati 4-3 u vulos në fund, ndërsa emocionet ishin të forta.
Belgët arritën në 3-0 falë rrjetave nga Lukaku, Tilemans dhe Doku, por uellsianët barazuan në pjesën e dytë.
U desh goli I De Brujnes dy minuta para përfundimit që “djajtë e kuq” të merrnin tri pikët.
Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, vazhdon me rezultatet pozitive.
Fitore 1-0 në Kazakistan falë golit nga Trajkovski, dhe kryesim I Grupit J të Botërorit me 8 pikë ndaj 7 të Uellsit e 4 të Belgjikës.