Zëra merkatoje pafund edhe për Superioren dhe janë disa emrat e lakuar. Alban Hoxha një ndër ta, i lidhur me Tiranën dhe tashmë i ka hapur dyert edhe Devi Muka, një nga njerëzit më të afërt të presidentit Refik Halili.
Vlonjati, drejtuesi i akademisë bardheblu, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” dhe e thotë hapur që do donte që Hoxha të jetë portier i Tiranës për sezonin e ardhshëm. Veç kësaj, ai flet edhe për Ilir Dajën, të cilin e vlerëson dhe gjithashtu thekson se mund t’u bashkohet bardhebluve.
Në gazetën e sipërpërmendur veçohen edhe disa zhvillime të tjera, si te Kukësi dhe Partizani. Në kampin verilindor shqetësimi më i madh është Erhun Obanor, i cili është dëmtuar në gju dhe rrezikon të mungojë për më shumë se gjashtë muaj. Dyshohet se ka këputur ligamentin dhe ka pësuar një ccarje të meniskut.
Te Partizani në qendër të vëmendjes është Bruno Telushi. Vlonjati i përfundon kontrata me 30 qershor dhe ende nuk ka bisedime për rinovimin. Nga ajo që mësohet nga burime pranë klubit të kuq, në kontratën e tij nuk ka klauzolë për zgjatje automatike të kontratës, siç ka ndodhur me Lorenc Trashin dhe William Cordeiro. /abcnews.al