Shkeli masat anti-covid në takimin elektoral: Policia hesht për rastin “Qefalia”, deputeti fshin fotot

schedule16:03 - 21 Shkurt, 2021

schedule 16:03 - 21 Shkurt, 2021

Shqipëria numëron prej disa javësh një mesatare prej 1000 infektimesh në ditë me koronavirus, ndërkohë që shtretërit në spitalet Covid janë drejt ezaurimit. Por, kur kanë mbetur edhe 2 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit më shumë se për t’i nxitur shqiptarët drejtë kujdesit, politika i ka thirrur qytetarët në tryezat e takimeve elektorale.

Policia ka monitoruar rrjetet sociale të përfaqësuesve politikë por dhe mediat për të aplikuar gjoba.

Por masat administrative nga Policia e Shtetit ndaj shkelësve të aktit normativ, i cili ndalon grumbullimet politike, nuk ka qenë proporcionale për të gjithë përfaqësuesit e politikës.

Edhe përse në media është publikuar takimi elektoral i deputetit socialist, Xhemal Qefalia në Zall Herr ku të grumbulluar në një sallë të vogël ishin më shumë se 9 persona dhe të pa pajisur me maska, policia nuk ka vendosur asnjë masë ndaj përfaqësuesit të mazhorancës.

ABC u interesua për këtë rast edhe pranë Policisë së Shtetit dhe ka konfirmuar se ndaj deputetit Qefalia nuk është regjistruar asnjë masë administrative.

Ndërkohë pas publikimit të rastit në media, Qefalia ka fshirë nga profili i tij në Facebook disa prej fotove të takimit në Zall Herr ku ai shfaqej me shumë prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste.

Ndërkohë disa ditë më parë, Policia e Tiranës dhe ajo e Korçës ndëshkuan për thyerjen e aktit normative, nënkryetarin e Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe kreun e forumit rinor të PD, Belind Këlliçi me gjobë në vlerën 50 milionë lekë të vjetra. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!