“Është në shkelje të etikës dhe të ligjit, ka proces” kështu është shprehur kryeministri Edi Rama lidhur me denoncimin e bërë nga tre efektivë të policisë kundër kreut të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ku pretendohet se ky i fundit i ka penguar dhe ofenduar në kryerjen e detyrës.
Rama më tej është shprehur se Ndreu do mbajë përgjegjësi për veprimet që ka bërë, ndërsa ka shtuar se është lajm i mirë që policët nuk u stepën edhe para një zyrtari të lartë si kreu i Bashkisë së Lezhës.
“Së pari nuk kuptoj ku është lidhja. Megjithatë kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Por policisë i bëhet edhe një ofendim tjetër kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh. Ky është ofendim më i madh se ofendimi i një personi ndaj dy apo tre. Se individuali zgjidhet. Është në shkelje të ligjit, të detyrës dhe të ligjit. Është përgjegjës. Të gjithë duhet të përgjigjen për gabimin e tyre. Në këtë rast nuk kemi një tolerimi të faktit se një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo punonjësish policie.” tha Rama. /abcnews.al/