Shkatërroi makinat e lagjes duke tentuar t’i largohet policisë, arrestohet shoferi me sirianë në furgon

schedule16:06 - 21 Qershor, 2021

schedule 16:06 - 21 Qershor, 2021

Erjon Biba, një 40-vjeçar nga Korça që po transportonte 14 emigrantë të paligjshëm është vënë sot në pranga në Tiranë. Lidhur në ngjarjen është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij, 28-vjeçari G. N.
Abcnews.al raportoi më herët se 40-vjeçari dëmtoi një sërë makinash në rrugën e Elbasanit ndërsa mundohej t’i shpëtonte policisë që po e ndiqte.

Ndërsa tentonte t’i fshihej policisë, Biba u fut brenda një blloku banimi në rrugën e Elbasanit dhe përplasi 5 automjete private, të banorëve që i kishin parkuar aty. Në momentin që pa që rruga ishte e bllokuar, shoferi e braktisi automjetin.

Banorët shprehin shqetësimin për zvarritjen e procedurave nga ana e policisë për kompensimin e dëmeve që kanë pësuar automjetet nga përplasjet në seri.

NJOFTIMI

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga një shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Tiranë kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E.B., 40 vjeç, banues në Korçë. Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me iniciale G. N., 28 vjeç.

Shtetasi E. B., në bashkëpunim me shtetas G. N., në rrugën e Elbasanit, është kapur duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!