Shkatërrohet laboratori i kokainës në Spanjë, pjesë e rrjetit edhe shqiptarë

schedule19:55 - 21 Janar, 2019

schedule 19:55 - 21 Janar, 2019

Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një laborator droge, i konsideruar nga mediat iberike ndër më të mëdhenjtë në Europë. Gjatë operacionit masiv u arrestuan persona të shumtë, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë.

Policia në Spanjë ka shkatërruar një laborator droge të ngritur në një lokalitet në afërsi të qytetit të Valencias, i konsideruar ndër më të rëndësishmit për përpunimin e kokainës në Europë. Gjatë operacionit, të shtrirë edhe në Madrid, Malaga, Toledo, Valadolid dhe Pontevedra janë arrestuar 11 persona, shtetas spanjollë, kolumbianë dhe shqiptarë.

Organizata kriminale importonte sasi të mëdha lënde narkotike në Spanjë, të cilat i kamuflonte në derivate të frutit të palmës, ndërsa transporti mbulohej nga një kompani e madhe biznesi, përgjegjëse për importin e konteinerëve të transportuar në rrugë detare. Me të mbërritur në Spanjë, malli përpunohej në laboratorin e ngritur në një vilë në lokalitetin El Puig, ku punonin kimistë të ardhur posaçërisht nga Amerika Latine për t’u mësuar anëtarëve të grupit procesin e nxjerrjes së kokainës.

Policia spanjolle ra në gjurmët e këtij grupi pasi kishte konstatuar lëvizjet e disa shtetasve kolumbianë, që kishin ardhur disa herë në Spanjë për të mbikëqyrur strukturën, si dhe për të negociuar përqindjet e përfitimit pasi droga shpërndahej. Sipas hetuesve iberikë, në laboratorin e ngritur në një vilë në El Puig organizata kishte planifikuar që përveç kokainës të kultivonte edhe marijuanë në dhomat e shumta të godinës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!