Shkatërrohet banda shqiptare, “Shqiponja e zezë” vë në pranga 17 persona

schedule10:55 - 1 Gusht, 2019

schedule 10:55 - 1 Gusht, 2019

Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale të drejtuar nga shqiptarë që trafikonte kokainë nga Holanda në Romë. Në kuadër të operacionit të koduar “Shqiponja e Zezë” kanë përfunduar në pranga 17 persona, të akuzuar për trafik droge dhe armësh.

Policia italiane ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të së enjtes operacionin e koduar “Shqiponja e Zezë”, përmes të cilit ka shkatërruar një rrjet të narkotrafikut të kontrolluar nga një organizatë kriminale shqiptare.

Sipas mediave italiane, grupi kriminal është përgjegjës për trafikimin e tonelatave kokainë nga Holanda në Romë, si dhe në lokalitetet Tor Bela Monaka dhe San Bazilio, ku ndodheshin dhe bazat për ndarjen në doza për tregun kryeqytetas.

Sipas burimeve mediatike, operacioni është kryer nga skuadra e ndërhyrjes së shpejtë të policisë së Romës, e koordinuar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias. Forcat e rendit kanë kryer një seri kontrollesh në banesa dhe ambiente të tjera të personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine, por edhe armësh.

Në tërësi janë arrestuar 17 persona, si dhe janë sekuestruar 200 kilogramë kokainë, disa pistoleta dhe një armë automatike. Ndërkohë, në një operacion tjetër policia e Romës ka vënë në pranga anëtarët e një bande që shpërndante drogën në banesat e përdoruesve, pasi kontaktohej në rrugë telefonike.

Për një shtetas shqiptar, anëtar të grupit, është caktuar detyrim paraqitjeje, ndërsa 4 anëtarë të tjerë, një afrikan dhe 3 italianë, janë arrestuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!