Shkatërrohet banda e trafikut të drogës në Itali, mes të arrestuarve edhe shqiptarë. Sekuestrohen 72 kg kokainë të mbërritur nga Ekuadori

schedule13:20 - 5 Shtator, 2024

schedule 13:20 - 5 Shtator, 2024

Autoritetet italianë kanë shkatërruar një organizatë kriminale të trafikut të drogës që përbëhej nga të huaj dhe shqiptarë. Sipas mediave fqinje, 10 persona kanë rënë në pranga ( 7 italianë, 1 maroken dhe 2 shqiptarë), 8 prej të cilëve janë lënë në burg, 1 në arrest shtëpie dhe 1 në detyrim paraqitjeje.

Organizata ishte aktive prej vitesh në zonën e Tor Bella Monacas në Romë, e cila drejtohej nga tre italianë të së njëjtës familje dhe furnizohej me lëndën narkotike nga Amerika e Jugut. Grupi akuzohet për prodhim dhe trafik droge, armëmbajtje pa leje, posedim dokumentesh false dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Sipas mediave italiane, organizata kishte një numër të konsiderueshëm “punonjësish” që menaxhonin qendrat e tregtimit të drogës, por dhe kryenin veprime të dhunshme të nevojshme për të mbajtur kontrollin e tregut përballë përpjekjeve për infiltrim nga fraksionet rivale.

Hetimet janë duke u zhvilluar aktualisht, por sipas hetuesve, grupi kishte akses edhe në armë të kalibrit të madh, si armë gjahu dhe kallashnikovë. Gjatë operacionit policor, një shumë parash u gjetën në një lavatriçe mes rrobave të pista por edhe në vende të tjera fshehjeje të krijuara posaçërisht për të fshehur fitimet nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet në bashkëpunim me Administratën Amerikane të Ndjekjes së Drogës (DEA) çuan, ndër të tjera, në sekuestrimin e mbi 72 kg kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin e Civitavecchia dhe të një plantacioni marihuanë të gjetur brenda një vile në Sacrofano. Më tej, është dokumentuar blerja nga Spanja e mbi 50 kg hashash të llojit “polen”, si dhe disa episode të transferimit “me shumicë” të lëndëve narkotike, për mbi 30 kg marijuanë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!