Shkarkoi Valdete Dakën, Osmani emëron kreu e ri të KQZ

schedule16:28 - 14 Qershor, 2021

schedule 16:28 - 14 Qershor, 2021

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniçi si kryetar të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas shkarkimit të Valdete Dakës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Sipas, presidences, “Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së. Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale”.

“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, Presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të znj. Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike”, thuhet më tej në deklaratë.

Kreshnik Radoniçi sipas njoftimit të zyrës së presidentes, është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Në vitin 2006 ai është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007

Kreshnik Radoniçi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007.

Radoniçi cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje. Emërimi i gjyqtarit z. Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të siguroj që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësoj mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani i ka uruar punë të mbarë z. Radoniqi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të KQZ-së dhe funksionimit të tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhje”, përfundon njoftimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!