Shkarkohet drejtori i ALUIZNI-t në Vlorë

schedule13:13 - 21 Nëntor, 2018

schedule 13:13 - 21 Nëntor, 2018

Shkarkohet nda detyra Drejtori i ALUIZNI-t  në Vlorë dhe 2 punonjës. Lajmin e dha ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj në cilësinë e drejtueses së njësisë së Task-Forcës Antikorrupsion. Pas ankesave në platformën e bashkëqeverisjes, është arritur në përfundimin se zyra e Aluiznit në Vlorë nuk ka respektuar procedurat e kërkuara nga ligji në fuqi në marrjen e  vendimit të kualifikimit dhe lejeve të legalizimit.

“Task Forca Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar kontroll në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor – Fier lidhur me respektimin e kërkesave ligjore për ushtrimin e veprimtarisë ekonomiko-tregtare nga ana e subjekteve ekonomike  pa u regjistruar, mbajtjen, transportimin, përdorimin dhe tregtimin e mallrave pa dokumentacionin e duhur tatimor, si dhe të punonjësve të padeklaruar në organin tatimor. Nisur nga shkeljet e konstatuara, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar 24 masa disiplinore për drejtues dhe inspektorë të kësaj drejtorie. Gjithashtu bazuar në një denoncim të ardhur pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, me objekt denoncimin e legalizimit një shtesë anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” – Vlorë, grupi i kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar inspektim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t, Vlorë dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.

Në përfundim të këtij hetimi janë rekomanduar 3 masa disiplinore “Largim nga puna” për: Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë; Përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë; Specialistin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!