Shkarkohen Berisha dhe mbështetësit e tij në PD, Basha i kërkon falje demokratëve. Rezultati i Referendumit shpallet “nul”

schedule18:45 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 18:45 - 18 Dhjetor, 2021

Është mbyllur pas shtatë orësh Kuvendi i Partisë Demokratie, që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, ku mbledhën mijëra delegatë si edhe mbështetës të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria. Kuvedi i sotëm erdhi pas atij të një jave më parë të organizuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili fillimisht votoi për shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ndërsa sot është thirrur referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Ky i fundit i ka cilësuar “nul” të gjitha vendimet e marra nga Kuvendi i Berishës duke organizuar Kuvendin e sotëm të PD-së, përmes të cilit pritet të ndërmerren një mori vendimesh të rendësishme për organzimin dhe drejtimin e partisë, të cilat godasin drejtpërdrejt Sali Berishën.

18:31: Berisha mund të vijë në seli? Basha: S’kishte referendum, do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e njeh referendumin e zhvilluar sot nga Sali Berisha për shkarkimin e tij. Në një deklaratë për mediat, jashtë PD-së pas përfundimit të Kuvendit, Basha tha se do të qëndrojnë në shtëpinë e demokratëve, siç e quajti ai selinë e PD.

I pyetur nga gazetarët se ka zëra që Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit mund të vijnë në seli për të lexuar rezultatet e referendumit, Basha këmbëngul se nuk ka pasur një të tillë sot.

“E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qenë të shtëpinë e dmeokratëve. Do të qëndrojmë me vetëdijen për të gjitha gabimet e të kaluarës. Gabimet e të kaluarës kur përsëriten nuk do ta marrin më peng PD. Sot ka pasur vetëm një aktivitet ai ka qenë Kuvendi. Nuk ka referendum. Ka një PD dhe një Kuvend. Unë di që ka disa anëtarë të PD që ju bëj thirrje që të bashkohen”, -deklaroi Basha.

14:36 – Kuvendi i PD shkarkon Berishën dhe mbështetësit e tij 

Kuvendi i PD-së miratoi gjithashtu vendimin tjetër të Këshillit Kombëtar të partisë, marrë pasditen e 11 dhjetorit, i cili parashikon shkarkimin nga detyra të Edi Palokës si edhe të anëtarëve dhe sekretarëve të kryesisë.

Në rezolutë u konfirmua shkarkimi i tyre, por duhej që ky vendim i një jave më parë të miratohej nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të thirrur ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve.

Krahas tyre u përjashtua nga detyrat drejtuese edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Mësohet se të pranishëm ishin 5004 delegatë, emrat e të cilëve sipas Enkelejd Alibeajt do të bëhen publik nesër.

U vendos shkarkimi i:

Kryetarit të Këshillit Kombëtar: Edi Paloka

Anëtarëve të kryesisë:

Flamur Noka

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

Albana Vokshi

Oerd Bylybashi

Si dhe sekretarëve:

Ervin Minarolli

Ivi Kaso

Belind Kelliçi

Ledina Mandia.

14: 11 –  Kuvendi i PD shpall “nul” vendimet e 11 dhjetorit: Nënkryetarët mbetën në detyrë, referendumi për Bashën i pavlefshëm

Kuvendi Kombëtar i PD-së ka miratur me shumicë votash quajtjen “nul” të vendimeve të marra gjatë Kuvendit të Berishës më datë 11 dhjetor. Me propozim të Jemin Gjanës si Kryetar i Komisionit për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar, delegatët e PD votuan “pro” shpalljes nul të vendimeve të marra gjatë 11 dhjetorit, të cilat ndër të tjera parashikonin shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Gjatë Kuvendit më datë 11 dhjetor, delegatët e thirrur nga Berisha shkarkuan nga detyra nënkryetarët e Partisë Demokratike si edhe Sekretarin e Përgjithshëm, ndërsa vendosën që ditën e sotme të mbahej një Referendum për shkarkimin edhe të kryedemokratit Lulzim Basha.

Lexo edhe: “Çdo vendim i lëvizjes Berisha është nul”, miratohet rezoluta e Këshillit Kombëtar të PD: Mbështesim Bashën

Ndërkohë që referendumi i thirrur nga Berisha po mbahet, votimi i mesditës së sotme nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së e bën “nul” rezultatin e tij.

Rezoluta me pikat e miratuara nga Këshilli Kombëtar i PD më datë 12 dhjetor 2021

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,

-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;
-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shpërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.
-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
– Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.
-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.
-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend
-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.
-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.
Tiranë, 12 dhjetor 2021

13:30 – Basha i kërkon falje demokratëve: Lejova 8 vite Berishën të sillej si kryetar i dytë i PD, tani mori fund!

Kryedemokrati Lulzim Basha i kërkoi falje demokratëve për lejimin e rolit të rendësishëm të Sali Berishës në PD përgjatë këtyre tetë viteve të fundit. Përballë demokratëve, Basha pranoi se Berisha “bëri sikur iku në 2013”, por ndërkohë partia vijoi me një dualitet të dukshëm.

Basha pranoi përgjegjësinë për këtë gjë duke theksuar se tani partia e ka një kryetar dhe duhet të ketë vetëm një kryetar.

Pjesë nga fjalimi i Bashës:

E gjitha kjo nuk është gjë tjetër vecse një mendësi e së kaluarës, një sedentim i mendësisë puniste që nuk mund të mos e shoqëronin në startin e saj demokracinë tonë të re.

Ne nuk jemi këtu për të bërë gjyqin e ndokujt, ne nuk jemi dogmatikë, as të ngushtë e të paditur që të mos e dimë se me të vërtetë, një sistem i urryer mund të shembet për pak ditë a pak javë, por shembja e mendësive të ngulitura për 50 vjet kërkon kohë.

Aq me shumë në Shqipëri ku terrori sundonte territorin dhe individët, mendjet dhe shpirtrat, ku disidenca ishte e izoluar në burgje e kampe, ku liria merrte frymë me pipë në mjedise të ngushta, ku ndryshimet erdhën nga studentët dhe elitat e formuara brenda sistemit. Për ne mbeten të nderuar të gjithë ata që i dolën zot ndryshimit, ata të vijës së parë dhe gjithë shqiptarët që u bashkuan në rrugën e re.

Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.

Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së.

Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e  kryetarit me protagonizmin  e tij.

Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë.

Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë.

Është përgjegjesia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur ketë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.

Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre.

Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja.  Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen  e një prej nyjeve  të krizës për të  cilën po flasim. 

Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.

Nga ana tjetër, ne caktuam një standart në qëndrimin tonë ndaj personave  që shpalleshin non grata nga SHBA: përjashtimin e tyre nga politika.

Sepse përdorimi nga SHBA i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar në  Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit  aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Cfarë mund të bënin ne, çfarë mund të bëja unë kur goditja ra në shtëpinë tonë? Të shkelja standartin që vetë ne, të gjithë bashkë, nga I pari tek I fundit, përfshirë vetë Sali berishën e kishim vendosur, atëherë kur shpalljet non grata binin  mbi bashkëpunëtorë dhe aleatë të Ramës?  A nuk do të ishte ky kulmi i hipokrizisë para shqiptarëve?

A do të kishim fytyrë të përmendnim antikorrupsionin, a do të na besonte njeri, a nuk do të bëheshin shkrumb e hi si parulla bajate qëndrimet  e zotimet tona?

13:29 – A do të përjashtohet Berisha? Basha: Nuk mund të vijmë në pushtet me persona “non grata”

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka thënë se Kuvendi Kombëtar sot do të zgjedh heqjen e sundimit të “njëshave” në parti. Po ashtu Basha ka theksuar se do të zgjedhin të ardhmen me SHBA dhe BE për të çliruar Shqipërinë nga sundimi i oligarkëve politik e ekonomik.

Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar PD vjen  pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA.

Për Bashën, ish kreu i PD Sali Berisha, synoi që të kthente partinë në mburojë personale por sipas tij PD nuk është pronë e askujt por pasuri e demokratëve.

Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty. Ndërsa Basha theksoi se Berisha synoi që të kthente PD në “non grata”

13:20 – Basha flet për rithemelim të PD-së pas “pastrimit” nga Berisha: Na futi në përplasje me SHBA-të, sot rikonfirmohet proamerikanizmi

Kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi mbledhjen e sotme si një Kuvend për një rithemelim të dytë të Partisë Demokratike, pas tre dekadash me probleme, paqartësi dhe tensionesh të kësaj partie nën drejtimin e Berishes, me aleatin më të madh të shqiptarëve dhe demokratëve, SHBA-të.

Basha tha se PD nuk mund të mbetet peng i interesave personale të drejtuesit të saj duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejt Sali Berishën, ndërsa theksoi se në shtator të vitit të shkuar iu desh të zgjidhte mes partisë, që lindi si një shpresë e shqiptarëve dhe të shkuarës së saj. Basha tha se zgjodhi PD-në dhe jo interesat personale të Berishës, të cilat sipas tij binin në kundërshtim me aleatin Perëndimor SHBA-të.

Personit që mes nesh i kishim vendosur mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavdërime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilesimi non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Pezmi ishte i madh. Pse ne dhe pse tani? Ishin pyetjet që mbizotëronin mes nesh. Është e vështirë të shpjegohen me fjalë, aq më tepër një trupe politike që ka emocionet e saja në lidhje me këtë cështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla.

Jo për shkak të vështirësisë të vendimmarrjes, por për shkak të pasojave që ato prodhojnë te njerëzit. Në rastin tonë, mencuria për të njohur diferencën midis gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë.

Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë! Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot.

Midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar.

Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha“, tha Basha.

12:11 – EMRAT/ Ngrihet Komisioni për drejtimin e punimeve të Kuvendin Kombëtar të PD-së

Kuvendi Kombëtar i PD, ka miratuar Komisionin për drejtimin e punimeve të ditës së sotme.  Me votat unanime të demokratëve në Pallatin e Kongreseve, si kryetari i këtij komisioni u zgjodh Jemin Gjana. Ndërsa anëtarë të tjerë janë Gazment Bardhi, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Flutura Açka.

Sjellim në vëmendje se Basha ka thirrur sot Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA, së bashku me familjen.

11:57 – Nis Kuvendi Kombëtar i PD-së, Basha futet në sallë mes ovacionesh, i rrethuar nga deputetët demokratë

Kryedemokrati Lulzim Basha mbërriti në Pallatin e Kongreseve për të nisur Kuvendin Kombëtar të thirrur gjatë ditës së sotme ku pritet që të ndërmerren një mori vendimesh të rendësishme për drejtimin e PD-së në vijim.

Basha u fut në sallë i rrethuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së, ndërsa të pranishmit e pritën me ovacione duke nisur kështu Kuvendin Kombëtar që po mbahet me moton “Zgjedhim të ardhmen”.

Pas hyrjes së Bashës dhe uljes së deputetëve të tjerë, Kuvendi Kombëtar i PD-së nisi me Himnin Kombëtar.

11:20 – Në mbështetje të Kuvendit Kombëtar të PD, demokratët mblidhen tek Pallati i Kongreseve

Mijëra demokratë janë mbledhur në Pallatin e Kongreseve për Kuvendin Kombëtar të PD-së që mbahet nga Lulzim Basha, vetëm 7 ditë pas atij të mbajtur nga Sali Berisha.

Abcnews.al mëson se te Pallati i Kongreseve, Bashës i janë bashkuar shumë anëtarë të kryesisë së PD-së, Grupit Parlamentar dhe Këshillit Kombëtar.

Siç është paralajmëruar në mbledhjen e sotme të Kuvendit, pritet të miratohen disa ndryshime të rëndësishme statutore.

Kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike këtë të shtunë po organizojnë dy aktivitetet më të rëndësishme që do të dëshmojnë dhe qëndrimet e shumicës.

Nga ana tjetër është Berisha i cili mban një referendum për të ratifikuar shkarkimin e Bashës, vendim të marrë një javë më parë në Kuvendin e zhvilluar me 11 dhjetor.

PD është tashmë me dy statute në Gjykatën e Tiranës, njëri i dorëzuar nga Lulzim Basha i ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik dhe një tjetër dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD, për regjistrim statutin e ri të miratuar në Kuvendin e Berishës me 11 dhjetor.

10:57 – Kuvendi i PD-së, Duma për ABC: Përjashtimi është i rëndë për Berishën, por PD është pro perëndimore

Deputetja e PD, Grida Duma duke folur për ABC nga Pallatin e Kongreseve ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ka theksuar se në mbledhjen e djeshme të Kryesisë nuk ka pasur debate por një diskutim.

Duma shton se Partia Demokratike po angazhohet për vazhduar fokusimin e saj politik pro perëndimor dhe pro amerikan. Sipas saj askush nuk mund t’i fshihet të vërtetës dhe pavarësisht se balancat u prishën PD do të vijojë në këtë rrugë.

Pas përjashtimit nga grupi në shtator, sjellim në vëmendje se në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, n/kryetari Enkelejd Alibeaj propozoi që në strukturat qendrore të PD-së të mos ketë asnjë individ që është shpallur “non grata”. Shënjestra ishte e qartë, Sali Berisha.

Lidhur me këtë Grida Duma ka theksuar se do të jetë Kuvendi që do të votojë për Berishën dhe do të vendosë për të. E pyetur për një përjashtim të mundshëm të Sali Berishës, zonja Duma ka thënë:

“Pritet të votohet. Kjo ka ndodhur me pezullimin e tij. Fakti që Berisha nuk e pranon këtë është çështje personale e tij. Është e rëndë për të se ka 30 vite, ai njëri që qeverisë opozitën apo pushtetin. Nuk ka vendim më të mirë se vota e Kuvendit. Ndodhi me vetëpërjashtimin e tij kjo situata për Sali Berishën.

10:18 – Berisha voton pranë ambasadës amerikane për shkarkimin e Bashës: Nuk po i provokoj

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, pas votës së tij për shkarkimin e Lulzim Bashës, ka dhënë detaje dhe pse ka zgjedhur që të votojë në një bar ngjitur me Ambasadën Amerikane.

Berisha tha se Basha ka thirrur anti-Kuvend dhe e ka mbushur me nxënës dhe me ish-kryetarë të PS-së që kanë marrë nga dy mandate në krye të bashkive.

“Për asnjë vend të lirë të botës aq më tepër për SHBA vendin e madh të lirisë vota e lirë është e mirëpritur. Aq sa Amerika është provokim për Berishën është edhe votimi im në “bar Amerika”. Nga ky bar i vogël këtu u dërgohet një mesazh mbarë forcave konsorvatore në Evropë dhe kudo, se këtu anëtarësia ka vendosur dhe po ushtron votën e lirë, që u mor peng dhe pësoi metamorfozën që nuk e gjen gjetiu atë të “bravës”.

Anti-Kuvendet e thirrur nga Basha të mbushur me nxënës mos i ngatërroni, ju e patë shfaqjen e shëmtuar, nëse Basha përsoi metamorfozën e “bravës”, Rama u transformua që të maskohej si avokat o tij. Shqiptarët janë të zgjuar që ta kuptojnë, por e vërteta është se po dridhen themelet e narkoshtetit. Për këtë është thirrur një protestë”, ka thënë Berisha.

10:03 – Protesta e 20 dhjetorit, Berisha: Në mbrojtje të interesit kombëtar, shqiptarët e dinë rolin e tyre

Ish kryetari i partisë Demokratike , Sali Berisha  këtë të shtunë në ditën e Referendumit të thirrur prej tij për shkarkimin e kreut të PD-së Basha, ka komentuar dhe protestën e thirrur të hënën e 20 dhjetorit.

Berisha në fjalën e tij është shprehur se protesta e të hënës është një protestë e thirrur me urgjencë në mbrojtje të interesit kombëtar pas lajmit për ardhjen e presidentit Aleksandër Vuçiç në Tiranë.

Sipas tij demokratët do të jenë pjesë e kësaj proteste në orën 16:00, ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova është shprehur se çdo shqiptar e di vetë rolin e vet.

09: 51 – Referendumi i parë në 31 vite, Këlliçi: Dita do jetë e qetë, demokratët në radhë për të votuar

Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Belind Këlliçi, në fjalën e tij pas votimit në referendumin për shkarkimin e Bashës është shprehur se dita do të jetë e qetë dhe në të mirë të demokratëve.

Ndër të tjera ai tha se ky është referendumi që duket se ka interesim më të madh të anëtarëve demokratë për të qenë pjesë e tij për të dhënë votën e tyre.

Ai ka sjellë në vëmendje dhe rastin e një anëtari të PD-së në Berat, që sipas tij ka ardhur me kartën e anëtarësisë të vitit 1992 për të votuar shkarkimin e Bashës.

“Sot është një ditë shumë e bukur dhe rrallë keni parë këtë masivitet dhe interes nga anëtarësia për të marrë pjesë në një proces të tillë. Është referendumi i parë në 31 vitesh dhe në të 106 qendrat e votimit procesi është i thjesht. Ky referendum mbahet për ratifikimin e pikës 6 të vendimeve të marra nga Kuvendi i 11 dhjetorit, për shkarkimin e ish kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ne Berat një anëtar i Partisë Demokratike me kartë anëtarësie që në 1992 me kartë anëtarësi ka ardhur nga Greqia për të votuar. Ne betejën e kemi me Edi Ramën, dhe dita sot do të jetë shumë e qetë. Ka një debat brenda PD-së, për të krijuar një parti Demokratike më të Bashkuar”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai ka theksuar dhe një incident që ka ndodhur në njësinë e votimit numër 1 në Tiranë, ku në shkallët e godinës është hedhur vaj për të rrëshkitur anëtarët.

09:26 – Mbështetësit e Berishës votojnë shkarkimin e kreut të PD-së, procesi i qetë në të gjithë qarqet

Në të gjithë qarqet ka nisur me qetësi votimi i anëtarëve të Partisë Demokratike dhe mbështetësve të ish liderit Sali Berisha, për shkarkimin e Lulzim Bashës, vendim i miratuar në kuvendin e 11 dhjetorit një javë më parë.

Në Vlorë i pari që ka votuar është kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Genc Deromemaj. Në një prononcim për mediat ai është shprehur se entuziazmi do të shikohet në orët në vazhdim, kur demokratët të kenë vendosur me vullnetin e tyre të lirë vendimin për shkarkimin e Bashës.

Në Fier gjithashtu demokratët mbështetës të ish liderit Berisha janë drejtuar kutive të votimit në referendumin e thirrur për të votuar shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

Votimi do kryhet ne disa qendra votimi por dy qendra kryesore do te jene ne ish godinën e UFO pasi zyra e deges PD Fier është mbyllur ditë më parë me urdhër të Bashës.

08:19 – Berisha betejë për marrjen e PD-së, simpatizantët votojnë në referendumin për shkarkimin e Bashës

Dy veprimtari të rëndësishme, të organizuara nga kryetari Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha, kanë vënë sot në lëvizje të gjithë demokratët.

Bëhet fjalë për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive, që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA, së bashku me familjen.

Nga ana tjëtër Sali Berisha pas Kuvendi Kombëtar të 11 dhjetorit, ka thirrur sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë.

Referendumi i Berishës ka nisur në orën 08:00 deri më 17:00. Berisha tha sot se në orën 17:00, Lulzim Basha do të shkarkohet përfundimisht nga kryesimi i PD-së.

Nisma e Rithemelimit të PD-së, ka ngritur edhe një Komisionin për organizmin dhe certifikimin e Referendumit.

Por si duket situata në qarqet e vendit me Referendumin kundër Bashës, të kërkuar nga Sali Berisha?

Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë demokratë me të drejtë vote në Bashkitë Gjirokastër, Libohovë dhe Dropull, të cilët do të shprehin verdiktin e tyre në referendum. Janë gjithsej 4 qendra votimi që do të jenë në Pallatin e Sportit, në lokal në qendër të Lazaratit. Në një lokal në Libohovë dhe tek ish-zyra elektorale e

Qarku Korcë ka 9 qendra votimi, ku 2 prej tyre janë në ish-kinematë dhe 1 në qendrën kulturore të fëmijëve.

Në Durrës, 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre.

Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë pritet të votojë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë.

Ndërsa dega e partisë demokratike e Fushë Krujës ka 870 anëtarë. Votimi pritet të zhvillohet te qendra shëndetësore e ku është dhe zyra e partisë.

Në Berat referendumi mbahet te Pallati i Kulturës.

Në Shkodër referendumi mbahet në 9 qendra, dy në qytet 7 në njesitë administrative. Shoqata e ish-të Përndjekurve u rendit në mbështetje të rithemelimit të Partisë Demokratike nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në Vlorë janë rreth 1400 anëtarë të PD-së, ku qendra e votimit do të jetë pranë selisë së PD. Ndërkohë nga një qendër votimi do të ketë edhe në Selenice e në Himarë.

07:30 – PD e ndarë në dy kampe, Basha mbledh sot Kuvendin Kombëtar, Berisha zhvillon referendum

Kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike këtë të shtunë do të organizojnë dy aktivitetet më të rëndësishme që do të dëshmojnë dhe qëndrimet e shumicës.

Kryetari demokrat Lulzim Basha mesditën e sotme do të mbledhë delegatët e Kuvendit Kombëtar, ndërsa nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha zhvillon referendumin për të ratifikuar shkarkimin e Bashës, vendim të marrë një javë më parë në kuvendin e zhvilluar me 11 dhjetor.

Ndërkohë që në Pallatin e Kongreseve delegatët e PArtisë Demokratike dhe mbështetësit e bashës do të jenë pjesë e Kuvendit, nëpër rrethe mbështetësit e Berishës do të votojnë për referendumin për shkarkimin e Bashës.

Ndërkaq në gjykatën e Tiranës, janë dorëzuar dy statute nga Partia Demokratike, një nga kryedemokrati dhe një status

Ndërkohë PD është tashmë me dy statute në Gjykatën e Tiranës, njëri i dorëzuar nga Lulzim Basha i ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik dhe një tjetër dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD, për regjistrim statutin e ri të miratuar në Kuvendin e Berishës me 11 dhjetor.

Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë mjaft vendimtare për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Rendi i ditës për Kuvendin Kombëtar të PD”

  1. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
  2. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
  3.  Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave.

“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.” thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!