Shkarkimi i Metës, Xhixho: Konfirmon vendin në regjim parti-shtet, Kushtetuesja të tregojë paanësi

schedule10:02 - 10 Qershor, 2021

schedule 10:02 - 10 Qershor, 2021

Deputetja e zgjedhur e LSI, Erisa Xhixho ka dënuar ashpër shkarkimin e presidentit Ilir Meta që u votua ditën e djeshme në Kuvend me 104 vota.

Xhixho në një postim në rrjetet sociale ajo e cilëson si ilegjitim Parlamentin, duke theksuar se duhet të ishte shpërndarë një muaj më parë.

Votimin e shkarkimit të Presidentit, Xhixho e quan goditjen e fundit të rendit kushtetues dhe sipas saj konfirmon vendin në një regjim parti-shtet.

Deputetja e zgjedhur i bën thirrje Gjykatës Kushtetuesen që të demostrojë paanësi profesionalizëm dhe gjykim të drejtë.

“Gjykata Kushtetuese ka tashmë një sfidë për të demonstruar paanësi, profesionalizëm dhe gjykim të drejtë, pasi vendosja e shtetit të së drejtës, balancës se pushteteve dhe demokracisë jane sfida që i shërbejnë vendit dhe të ardhmes së tij evropiane,” shprehet Xhixho.

Reagimi i plotë:

Një parlament ilegjitim, jopërfaqësues, njëpartiak, i cili duhet të ishte shpërndarë 1 muaj para zgjedhjeve ngre një komision hetimor në kundërshtim me ligjin dhe merr një  vendim antikushtetues për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Pas një periudhe hetimi qesharak, me proçedura antiligjore, duke u përpjekur në mënyrë dëshpëruese për të prodhuar shkelje të rënda aq sa të justifikonin shkarkimin e kreut të shtetit, përfundoi dje me një raport absurd, që vetëm fakte e prova për shkelje të rënda të Kushtetutës nuk parashtroi. Ishte një raport i pastër politik, i bazuar në opinione dhe deklarata të kreut të shtetit dhe asnjë vendim, dekret apo veprim të tij, që të kishte sjellë si pasojë shkeljen e rëndë të aktit themeltar të vendit.

Ky akt i jep goditjen e fundit rendit kushtetues dhe e konfirmon vendin në një regjim parti-shtet.

Nëse do të kishte pasur vërtet një shkelje të rëndë të Kushtetutës, të jeni te bindur se ajo do ishte e qartë për opinionin publik, për juristët, analistët dhe çdo qytetar shqiptar.

Akti i djeshëm ishte një rast i papreçedent për vendin, por dhe për shume vende evropiane, pasi nuk ka raste të ngjashme në Evropë që kreu i shtetit të shkarkohet për opinionet apo qëndrimet e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Padyshim, Presidenti ka qenë i vetmi institucion legjitim në vend dhe ka kthyer mbi 60 ligje antikushtetuese, që mund të kenë shqetësuar maxhorancën, por detyra e tij ka qenë dhe është mbrojtja e Kushtetutës dhe e së mirës publike.

Gjykata Kushtetuese ka tashmë një sfidë për të demonstruar paanësi, profesionalizëm dhe gjykim të drejtë, pasi vendosja e shtetit të së drejtës, balancës se pushteteve dhe demokracisë jane sfida që i shërbejnë vendit dhe të ardhmes së tij evropiane.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!