Shkarkimi i Hallaçit dhe ardhja e Devollit, Kukësi del me reagim

schedule11:33 - 17 Janar, 2021

schedule 11:33 - 17 Janar, 2021

Ditën e sotme në mediet tona u raportua se Kukësi ka vendosur të zbresë nga froni Rrahman Hallaçin si trajner të parë dhe të vendosë në krye trajnerin aktual të Drenicës, Bledar Devollin.

Pas këtij lajmi është vetë klubi verilindor, që del me një reagim dhe njofton se nuk është e vërtetë dhe Hallaçi ka besimin e plotë të Kukësit.

Ndërkohë këto thashetheme më parë i kishte përgënjeshtruar edhe vetë Devolli në një bisedë të shkurtër, që Abcnews.al pati këtë mëngjes me trajnerin e njohur.

REAGIMI – Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin publik se lajmet e orëve të fundit në media, për shkarkimin e trajnerit Rraman Hallaçi janë të pavërteta. Hallaçi do të vazhdojë të jetë trajner i skuadrës dhe stafi teknik po punon për të përforcuar skuadrën në merkaton e janarit duke siguruar të gjithë se ekipi do të kthehet te rezultatet pozitivë shumë shpejt.

Trajneri Hallaçi ka besimin e klubit dhe mbështetjen e të gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë për skuadrën. Skuadra zhvillon sot stërvitjen e radhës për ndeshjen ndaj Apolonisë nën urdhërat e trajnerit Hallaçi.

Klubi e kupton se emri i Kukësit shton klikimet dhe rrit shitjet e gazetave por njëkohësisht kërkon nga mediat që të tregohen profesioniste dhe të mos publikojnë lajme të rreme. Klubi ka zyrën e shtypit ku mund të merret çdo informacion që keni nevojë. Para se të publikoni një lajm, jeni të lutur të siguroheni. /abcnews.al