Shkarkim dhe pozicion i ri për Sormanin, Partizani ka një plan

schedule08:08 - 8 Qershor, 2020

schedule 08:08 - 8 Qershor, 2020

Partizani u mposht dje nga Kukësi dhe për kampionët në fuqi ishte humbja e pestë radhazi në kampionat. Rezultatet flasin vetë dhe janë kundër trajnerit Adolfo Sormani, i cili ditën e djeshme nuk kishte as çfarë thonte, qoftë edhe të ankohej për vendimet e padrejta të arbitrit

Zgjodhi heshtjen, me justifikimin e problemeve me zërin. Me rezultatet kundër, shanset janë të mëdha që pankina e tij është lëkundur dhe rrezikon shkarkimin. Gaz Demi nuk e ka të lehtë ta marrë këtë vendim, pasi Sormani është zgjedhja e tij.

Presidenti i Partizanit beson shumë se italiani është një trajner që mund t’i japë shumë “demave”, duke rritur lojtarët e rinj, që mund të shiten dhe të sjellin të ardhura të rëndësishme në klubin kryeqytetas.

Me kompleksin e ri që po shkon gradualisht drejt përfundimit, plani për të ardhmen e Sormani është interesant. Italiani është menduar të gradohet si drejtor i akademisë së të kuqve, të paktën kështu raporton “Panorama Sport”.

Mbetet të shihet nëse trajneri italian do e pranojë një propozim të tillë, pasi ambiciet e tij me siguri janë që të bëjë karrierë si trajner. Gjithsesi, Sormani e ka thënë edhe herë tjetër, që kur Demi të dojë që ai të ikë, mjafton t’i thotë dhe do shtrëngojnë duart, ky një konfirmim i marrëdhënies shumë të mirë mes tyre. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!