Shkaktuan dy aksidente, shpallen në kërkim dy “aventurierët” në Pogradec

schedule14:54 - 18 Prill, 2023

schedule 14:54 - 18 Prill, 2023

POGRADEC- Një ngjarje e ngjashme pothuajse me një skenë filmi është regjistruar në qytetin e Pogradecit.

Dy persona, të cilët po lëviznin me një mjet tip “Hummer” kanë përplasur qëllimisht një makinë tjetër, në pronësi të 39-vjeçarit me iniciale E.Ç.

Policia thotë se pas përplasjes së mjetit, dy të shpallurit në kërkim kanë kanosur pronarin dhe më pas janë larguar.

Në tentativë për të ikur nga vendi i ngjarjes, ata kanë marrë para një makinë tjetër, ndërsa pas kësaj autorët  kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë.

Njoftimi i policisë: 

Përplasën qëllimisht me automjet, automjetin e një 39-vjeçari, më pas e kanosën 39-vjeçarin dhe i dëmtuan me sende të forta, automjetin, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë pas kallëzimit të marrë nga shtetasi E. Ç. se rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, 2 shtetas e kishin kanosur dhe i kishin dëmtuar me sende të forta, automjetin, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Nga veprimet e shpejta hetimore, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar, shtetasit M. Xh., 30 vjeç dhe S. S., 28 vjeç, të banues në Pogradec, të cilët dyshohet se për motive të dobëta, kanë përplasur qëllimisht, me automjetin tip “Hummer” me të cilin qarkullonin, automjetin e shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec.

Gjithashtu, dyshohet se pas përplasjes, të dy shtetasit kanë dalë nga automjeti, kanë kanosur shtetasin E. Ç., i kanë dëmtuar atij, me sende të forta, automjetin dhe janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale. Më pas shtetasit M. Xh. dhe S. S. kanë braktisur automjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen e këtyre shtetasve përpara përgjegjësisë penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara, kryerjen e veprimeve procedurale dhe fiksimin e të gjitha provave, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!