Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për shkarkimin e Eset Berishës, drejtor në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës.
Kurti nga gazetarët është pyetur se a është arsyeja e vërtetë e shkarkimit, marrëveshja e nënshkruar në Berlin me Serbinë, nën ndërmjetësimin, Richard Grenell.
Kryeministri nuk ka dashur të jap detaje tjera, duke ftuar të lexohet vendimi për shkarkimin e tij.
“Shkarkimi ka ndodhur mbrëmë. Deklarata e Mustafës është ditë më herët. Për të gjitha këto do të përgjigjem në konferencën për media, pas mbledhjes së qeverisë. Lexoni vendimin, nuk kam çka i shtoj asgjë vendimit”, i është përgjigjur Kurti pyetjes së gazetarit.
Eset Berisha u bë i njohur për nënshkrimin e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd. Marrëveshja e nënshkruar më 20 janar të këtij viti në Berlin dhe ishte inicuar e ndërmjetësuar nga administrate amerikane, përkatësisht i dërguari i posacëm i presidentit Trump për dialog mes Kosovës e Serbisë, Richard Grenell. Kjo marrëveshje ishte përshëndetur edhe nga vet Trump.