373 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë brenda ditës më 27 Prill 1999 në fshatin Mejë, afër qytetit të Gjakovës, nga forcat serbe. Masakra konsiderohet më e madhja gjatë luftës në Kosovë. Një pjesë e madhe e kufomave u transportuan për në Serbi dhe u gjetën në Batajnicë, pranë Beogradit.
Pashke Krasniqi, kujton mes lotësh dhe një dhembjeje pa ngushëllim, sesi ia morën djalin 23 vjeçar dhe nuk e pa më kurrë. Eshtrat e tij u gjetën në Batajnicë bashkë me qindra shqiptarë të tjerë.
“Djalin e kujtoj kur ma kanë marrë dy për krahësh, të lidhur, me ato shami të kuqe, e me ato kështu, e të ngjyrosur, e me armë sa të duash. Ka parë vetëm kështu pak, kurrë më nuk e kam parë. Eshtrat ka shkuar burri dhe djali i kanë marrë, unë nuk kam mundur të qëndroj, vetëm e di se kemi parë tmerr. Secili qan për vete e mërzitet për vete, vetëm më keq nuk ka. …ata I humbtë Zoti krejt siç janë, dhe i provofshin ato flakët tona, siç e kemi provuar ne,” thotë ajo për emisionin Ballkan.
Lush Krasniqi është një nga të mbijetuarit e masakrës së Mejës dhe drejton një shoqatë të familjarëve të personave të zhdukur.
“Numri i përgjithshëm që kemi si shoqatë është 377 persona, ka të moshave të ndryshme dhe të gjinive të ndryshme. Ka prej moshës 5 vjeçare deri të moshës 90 vjeçare “ na thotë ai.
Në varrezat e Mejës janë varrosur bashkë shqiptarët myslimanë dhe katolikë, ashtu siç u vranë atë ditë, bashkë, nga forcat serbe.
“Janë vrarë brenda një momenti, brenda një orë, brenda një dite. Dhe ne nuk kemi bërë dallime sepse të gjithë jemi shqiptarë, katolikë edhe myslimanë, shqiptarë jemi,” na thotë Ibrahim Haxhiu, i cili ka humbur gjithashtu anëtarët ve familjes në këtë masakër.
Fitim Xhemajli ishte atëherë vetëm 10 vjeç.
“Unë kam të vrarë 11 anëtarë të familjes, babain, vëllain, axhallarët, prej tyre 8 janë dalë (iu janë gjetur eshtrat) dhe tre janë të pagjetur,” na thotë ai duke na treguar varret e të afërmve të tij.
Sipas vendimeve të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në rastet kundër zyrtarëve ushtarakë dhe policorë serbë, masakra e Mejës ishte pjesë e një operacioni ushtarak të quajtur Reka, në të cilin ushtria Jugosllave, policia serbe dhe paraushtarakët njësitë vranë të paktën 377 civilë, nga të cilët 36 ishin nën 18 vjeç. Mijëra u dëbuan në Shqipëri dhe 13 persona figurojnë ende të zhdukur. Një dëshmitar i mbrojtur, oficer i policisë serbe, i tha ICTY se të afërmit e Lush Krasniqit u vranë menjëherë pasi u morën nga policia serbe.
Pesë zyrtarë të lartë serbë u dënuan nga ICTY në vitin 2014 për krime në Kosovë duke përfshirë masakrat e Mejës dhe Korenicës, Nebojsha Pavkoviç, komandant i Armatës së Tretë, Vladimir Lazarevic, komandant i Korpusit të Prishtinës, Dragoljub Ojdanic, shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtria Jugosllave dhe Sreten Lukiç, shefi i shtabit të ministrisë së brendshme serbe, përgjegjës për Kosovën si dhe ndihmës ministri i Brendshëm Vlastimir Gjordevic. /abcnews.al/