Shiu bën “kërdi” në rrugë, 12 aksidente me 18 të lënduar

schedule23:18 - 5 Nëntor, 2022

schedule 23:18 - 5 Nëntor, 2022

12 aksidente rrugore kanë ndodhur që prej mëngjesit të kësaj të shtune në disa akse të vendit për shkak të shpejtësisë dhe reshjeve të shiut. Për pasojë të plagosur kanë mbetur 18 persona, një prej tyre në gjendje të rëndë për jetën.

Në qarkun e Fierit u regjistruan 3 aksidente. Më e rëndë ishte përplasja e dy makinave, ku mbetën të plagosur dy shoferët dhe një pasagjer.

Në aksin Tepelenë-Gjirokastër sërish dy drejtues mjetesh mbetën të plagosur. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri 19 vjeçar në një prej makinave morën plagë të lehta.

Dy aksidente të njëpasnjëshme u shënuan po ashtu, në aksin Elbasan-Librazhd, pranë kthesave të “Murrashit”. Shkak për aksidentet janë bërë reshjet e dendura të shiut, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme të rënda në njerëz. Në një prej tyre, makina përplasi një motor dhe u largua nga vendngjarja.

Në Kukës, që prej orëve të para të mëngjesit u shënuan 3 aksidente me 3 të plagosur.

Në segmentin Kukës-Morinë në Rrugën e Kombit, një auto-bot është u përplas me trafik-ndarëset. Shoferi nga Kosova u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Shkak dyshohet lagështia në rrugë.

Në fshatin Shelqet të Shkodrës u shënua aksident me 3 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje më të rëndë.

Pasdite në aksin Elbasan – Peqin, pranë fshatit Papër u përplasën dy mjete dhe mbetën të plagosur të dy drejtuesit.

Ndërkohë në mbrëmje në fshatin Papër të Elbasanit dy persona që udhëtonin me dy makina u aksidentuan. Për pasojë dy shoferët morën plagë të lehta.

Të gjitha aksidentet u favorizuan nga lagështia e madhe në rrugë, por edhe manovrimet e gabuara të shoferëve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!