Në vijim të turit të tij të takimeve me bizneset, kryedemokrati Basha u ndal këtë të dielë në qytetin e Korçës. Tregtarët u shprehën se janë në gjendje falimentimi, për shkak të rënies së ndjeshme së knsumit.
“Mos e pyet, s’kam shitur fare, 3 orë asgjë! Më tepër hedh se sa shes”- u shpreh një pronar dyqani ushqimoreje. Të njëjtën gjë thotë edhe pronari i një magazine të mëdhe shpërndarjeje, “Vijmë në punë sa për muhabet, xhiroja skandal fare. Ka rënë 70 përqind xhiros! Ushqimet bazike kanë rënë me 70 përqind!” – tha pronari i një magazine shpërndarjeje ushqimore.
Kreu i PD, i premtoi bizneseve se me ardhjen në pushtet të qeverisë së tij, do të lehtësojë ata nga barra fiskale.
“Së pari, do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit në të cilën është zhvendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe të administratës duke futur në karantinë inspektoriatet. Në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë sa ngrenë qepenat, ulin qepenat me inspektorë, me lloj-lloj taksidarësh që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve. Së dyti duke vendosur një sistem taksash konkurues për rajonin, sa i përket biznesit të vogël, 140 milion lekë e poshtë do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër lokale apo qendrore, çdo tatim tjetër do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë tjetër. Së treti, për biznesin e madh ne do të vendosim taksën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime, për hapje vende pune, të cilat natyrisht për çdo vend të ri pune do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum do të thotë edhe më shumë mundësi edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen. Ky është prioriteti numër një i Partisë Demokratike, i programit tonë ekonomik. Ky është prioriteti numër një i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme dhe ky është prioriteti im i parë dhe kryesor, ekonomia juaj, punësimi dhe mirëqenia”– tha Basha.
Më herët, Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me fermerët në Pogradec. Ata i thanë Bashës se që prej vitit 2013 nuk kanë pasur asnjë mbështetje financiare nga qeveria. /abcnews.al