Policia e Vlorës ka vënë në pranga tre persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Sipas uniformave blu është ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim G. B. alias A. B., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu policia ka arrestuar shtetasit F. S, 52 vjeç, banues në Sarandë dhe D. T., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur.
Njoftimi i plotë:
Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim.
Në pranga edhe 2 drejtues mjetesh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim G. B. alias A. B., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit F. S, 52 vjeç, banues në Sarandë dhe D. T., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al