Nuk ishte vetëm protagonist kryesor te “Fast and Furious”, por aktori i ndjerë Paul Walker ishte i fiksuar pas makinave edhe në jetën e tij reale.
Gjashtë vite nga vdekja e tij, shumica e automjeteve nga koleksioni i tij personal janë shitur, ndërsa disa janë mbajtur nga vajza e tij Meadow Rain Walker.
Koleksioni, i cili përfshin një mix të makinave, motoçikletave dhe kamionëve, u shit në ankand, nga e mërkura deri të shtunën, për 2,333,450 dollarë. “Ai ka frymëzuar gjenerata të tëra të apasionuarish pas makinave. Ne kemi punuar me një mik të Paul, i cili është kujdesur për koleksionin e makinave pas vdekjes së tij”, ka thënë Craig Jackson, drejtori i kompanisë që zhvilloi ankandin.
“Paul Walker është krahasuar me një Steve McQueen të ditës moderne, i cili e jetoi pasionin e tij për të garuar në çdo aspekt të jetës së tij,” thotë Jackson për Hollywood Reporter. “Ai ka frymëzuar gjeneratat e tëra të adhuruesve të makinave.
Paul Walker vdiq në mënyrë tragjike në moshën 40 vjeçare, më 30 nëntor 2013, pas një aksidenti me makinë në Kaliforni./abcnews.al