Shigjetë në zemër, thellohet misteri i vrasjeve me hark

schedule22:38 - 14 Maj, 2019

schedule 22:38 - 14 Maj, 2019

Një seri vrasjesh me hark të stilit mesjetar kanë trembur mbarë Gjermaninë. Policia ka llogaritur në tërësi 5 vrasje të lidhura me çështjen, ku 2 prej viktimave janë ekzekutuar me shtizë në zemër.

Pesë vdekje, tre prej të cilave vrasje, të ndodhura në një periudhë të shkurtër kohore kanë vënë në alarm autoritetet gjermane. Episodet kanë një karakteristikë të veçantë, për faktin se tre prej viktimave janë vrarë me shigjeta harku.

Sipas mediave gjermane, viktimat u gjetën të veshur me rroba mesjetare në një hotel në lokalitetin Pasau të Bavarisë. Dy prej tyre, një çift bashkëshortësh, u gjetën dorë për dore të shtrirë në shtrat me nga një heshtë të ngulur në zemër; ndërsa viktima e tretë u gjet në të njëjtën dhomë, me heshtën të ngulur në qafë.

Zbulimi i tyre u bë ditën e shtunë nga një kamariere e hotelit ku ata po qëndronin. Gjatë kontrollit, policia gjermane gjeti edhe tre harqe moderne, dy prej të cilëve ishin përdorur për të qëlluar heshtat, por nuk gjeti shenja dhune.

Prokurorët që kanë marrë nën kontroll çështjen ende nuk i kanë zbardhur rrethanat e ngjarjes, por e lidhin atë me dy vdekje të konstatuara ditën e hënë në Vintigen, një qytezë që ndodhet 640 kilometra larg hotelit ku kanë ndodhur vrasjet.

Dy viktimat e fundit janë një grua 35 vjeçe dhe një vajzë 19 vjeçe. Rrethanat e vdekjes së tyre janë ende të paqarta, pasi këtë herë në apartament nuk u gjetën harqe apo shenja dhune.

Sa u takon tre viktimave të mëparshme, ato rezultonin anëtarë të një shoqate që organizon lojëra si ato të kalorësve mesjetarë. Por shoqata ka mohuar të ketë organizuar lojëra të tilla në këtë periudhë në Gjermani./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!