Pak ditë pas tërheqjes zyrtare të Amerikës nga traktati bërthamor i Luftës së Ftohtë, mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë filluar fërkimet. Presidenti rus Putin ka paralajmëruar se Moska është gati të zhvillojë raketa të reja nëse Uashingtoni ndërmerr një hap të tillë.
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të hënën se Moska do të detyrohet të prodhojë raketa të reja bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara e bëjnë një gjë të tillë. Bëhet fjalë për raketat me rreze të mesme veprimi dhe me bazë tokësore, që ndaloheshin në kuadër të traktatit të Luftës së Ftohtë, nga i cili Amerika u tërhoq të premten e kaluar.
Pas mbledhjes së këshillit të tij të sigurisë, Putin urdhëroi ministritë e Mbrojtjes dhe të Jashtme, si dhe shërbimin sekret SVR që të monitorojnë nga afër lëvizjet e palës amerikane në këtë aspekt.
“Dhe nëse Rusia merr informacion të besueshëm që Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar së zhvilluari këto lloj sistemesh raketore, atëherë ajo nuk do të ketë rrugë tjetër veçse të angazhohet në një përpjekje analoge”, deklaroi Putin.
Shtetet e Bashkuara e braktisën traktatin me argumentin se Moska e kishte shkelur atë dhe kishte vendosur të paktën një model raketash të ndaluara në gjendje gatishmërie, akuzë kjo që është hedhur poshtë nga Kremlinit.
Në vijim të fjalimit të tij, Putin tha se është e domosdoshme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të rifillojnë bisedimet për kontrollin e armëve, në mënyrë për të parandaluar atë që e quajti një “garë të shfrenuar armatimi”.
“Në mënyrë që të shmanget kaosi, ne duhet sa më parë të peshojmë pasojat e rrezikshme të tij dhe të nisim një dialog serioz, të çliruar nga çdo ambiguitet”, shtoi Putin./ABC News Albania 24/7