Ekspertët e policisë së Durrësit kanë shkuar sërish sot në vendin e atentatit të djeshëm ku u ekzekutuan në Brilant Martinaj;Besmir Hoxha dhe Diklen Vata pasi mendojnë se mund të gjejnë prova të tjera që t’i çojnë ta autorët.
Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije për abcnews.al se policia pas këqyrjes së kamerave të sigurisë ka hasur në një automjet që dyshohet se ka ndjekur nga pas tre të rinjtë që më pas u vranë në Fushë Krujë.
Lexo edhe: Ekzekutimi i tre të rinjve në Fushë-Krujë, dhjetëra persona shoqërohen në polici
Ekspertët dyshojnë se të rinjtë janë ndjekur që nga Rinasi ku kanë pirë një kafe dhe më pas janë nisur në drejtim të Laçit, ndërkohë që pas tyre gjendej një makinë, e cila dyshohet të ketë qenë e informatorëve.
Po ashtu, ka të dhëna që të jetë e njëjta makinë apo që ka larguar nga vendi i ngjarjes katër autorët e atentatit ndaj të rinjve pas djegies së automjetit që u përdor në ngjarje prej tyre në zonën e Larushkës.
Lexo edhe: Ekspertë në qitje, vetëm një plumb “bosh”: Kush ishin specialet që ekzekutuan tre të rinjtë? Dy “kallashë” dhe një “MP5”, çfarë dyshon policia
Policia dyshon se autorët kanë qenë mjaft të përgatitur dhe me njohuri të avancuara në drejtim të teknikës ushtarake dhe të përdorimit të armëve duke qenë edhe qitës profesionistë. Nga këqyrja e makinës së viktimave dhe vendit të ngjarja është konstatuar se nga të gjithë plumbat e derdhur në drejtim të tyre, vetëm njëri ka qenë jashtë objektivit, pra makinës. Ekspertët e policisë kanë konstatuar vetëm një plumb, i cili ka qenë jashtë objektivit dhe ka bërë rikoshetë në pjesën mbrojtëse të mbikalimit, vetëm pak centimetra në lartësi nga makina e viktimave.
Atentati
Policia ka ndërtuar tashmë ngjarjen e rëndë që ndodhi dje duke marrë edhe dëshmitë e personave që u gjenden rastësisht aty si edhe pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Mësohet se ndërkohë që njëra makinë i ndiqte viktimat nga pas në drejtimin Tiranë-Mamurras duke dhënë informacion për vendndodhjen e tyre te autorët, këta të fundit vinin përballë në drejtimin Mamurras-Tiranë. Sapo viktimat futen te mbikalimi i Fushë Krujës, përballë u del makina e autorëve, e cila në fillim u zë rrugën dhe më pas prej saj dalin në mënyrë të sinkronizuar tre autorët, të cilët të pajisur dy me kallashnikovë dhe njëri me automatik “MP5”, kanë derdhur rreth 90 plumba brenda pak sekondash në drejtim të tyre.
Pasi i ka shpëtuar goditjes së parë, nga dera e pasme e makinës del Diklen Vata, i cili ishte edhe në rolin e badigardit të Brilant Martinajt. Ai mundi të largohet vetëm pak metra nga makina, pasi autorët u kthyen dhe e qëlluan nga afër duke e lënë të vdekur në vend.
Objektivi
Policia dyshon se objektivi i atentatit ishte pikërisht Brilant Martinaj. Kjo, pasi sipas policisë, pjesa më e madhe e plumbave të autorëve ishin në drejtim të pasagjerit në vendin e parë të makinës, ku edhe gjendej i ulur Martinaj.
Pas kryerjes së atentatit dhe sigurimit që nuk kishin lënë asnjë gjallë, autorët largohen sërish në mënyrë të organizuar dhe djegin makinën pak kilometra më tej duke u marrë nga një makinë tjetër, e cila dyshohet pikërisht se ka qenë makina që ndoqi viktimat nga Rinasi deri në Fushë Krujë. /abcnews.al