Shfaqja e Dritan Dajtit në Tiranë për të marrë shërbime tek një dentist, shkaktoi reagime të forta dhe ministrja e Drejtësisë, shkarkoi Drejtorin e Policisë së Burgjeve dhe drejtorin e burgut të Peqinit ku Dajti vuan dënimin.
Por për 7 deputetë të opozitës, shkarkimi i këtyre zyrtarëve është i dyshimtë, dhe i pa bazuar në prova, ndaj ata i kanë kërkuar interpelancë urgjente Etilda Gjonajt për këtë çështje.
Në kërkesën depozituar në Kuvend, thuhet se shkarkimi i dy drejtorëve të burgjeve është i paligjshëm dhe masat janë ekstreme, ndaj ministres i kërkohet të japë llogari se mbi ç’prova firmosi këto dy shkarkime.
“-Grupi i deputetëve kërkon sqarime mbi rastin i shkarkimit të jashtëligjshëm të drejtorit të Policisë së Burgjeve dhe drejtorit të IEVP-së Peqin , ku u konstatuan këto shkelje për këto masa ekstreme?
-Lirimet, propozimet që janë kompetenca juaj, mbi ç’baza i keni bërë? I keni parë dosjet e tyre përpara se t’i emëronit apo t’i prezantonit?”
7 deputetët, po ashtu ngrenë pyetje mbi sigurinë në burgje, transferimet e të dënuarve, si dhe emërimet e lirimet e drejtuesve.
“Grupi i deputetëve kërkon sqarime mbi: Situatën e rënduar në burgje, lidhur me administratën dhe të burgosurit; Shkeljet e bëra gjatë emërimeve, lirimeve dhe transferimeve të drejtuesve të IEVP-ve. Mosrespektimi i të drejtave të të burgosurve gjatë lejeve dhe transferimit të tyre”.
Interpelanca udhëhiqet nga Lefter Maliqi, i cili, përpara se të bëhej deputet, ka qenë zëvendës drejtor i përgjithshëm i burgjeve./abcnews.al