Sherri pas ndeshjes, McGregor dhe Khabib priten të dënohen

schedule23:53 - 10 Tetor, 2018

schedule 23:53 - 10 Tetor, 2018

Priten dënime të ashpra pas sherrit që shpërtheu në ndeshjen për titull në artet marciale, në Las Vegas. Kampioni i botës, Nurmagomedov, mund të gjobitet me 2 milionë dollarë.

Vendimi i parë ishte një dënim i lehtë.

Konor Mekgregorit iu dha një raport mjekësor nga federata UFC pas humbjes me Khabib Nurmagomedovin, ndërsa u ndalua që të stërvitej për disa javë. Kjo për shkak të rrezikut shëndetësor pas dëmtimeve që pati në luftën ndaj kampionit nga Dagestani i Rusisë, ndërsa Mekgregorin besohet se e pret një dënim.

Pamjet filmike të siguruara nga tifozët pas ndeshjes, treguan se ishte pikërisht irlandezi që lëshoi grushtin e parë ndaj një anëtari të stafit të kundërshtarit, që kishte hyrë në kafaz për t’u përballur me të.

Mekgregori goditi trajnerin e quajtur Islam Mahaçev, i cili ia ktheu po me grusht, ndërsa më pas në sherr u përfshi edhe një pjesëtari tjetër i ekipit të Nurmagomedovit. Vetë kampioni botëror pritet të marrë dënim më të rëndë sesa irlandezi.

Nurmagomedov besohet se nuk do të marrë shpërblimin prej 2 milionë dollarësh për ndeshjen, ndërsa mund të gjobitet edhe me 2 milionë dollarë të tjerë. Po ashtu, ai mund të pezullohet për disa kohë dhe nga kjo të humbasë brezin e kampionit.

Gjithsesi, Nurmagomedov duket sfidues, pasi hodhi një foto në rrjetet sociale, i fotografuar pranë makinës së presidentit të federatës UFC, Dejni Uajt, e duke bërë shaka “me fat që më dha brezin e kampionit, ndryshe do t’i shkatërroja makinën”.

Kampioni 30-vjeçar nga Dagestani u prit si hero në republikën autonome të Federatës Ruse, ku mijëra tifozë u mblodhën për të, në kryeqytetin Mahaçkalla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!