Derbi i kryeqytetit u shoqërua me incidente dhe përplasje të forta midis dy tifozerive. Një sherr masiv dhe i përgjakshëm nisi përpara fillimit të ndeshjes. Tifozë bardheblu dhe të kuq kaluan rrethimin dhe krijuan kaos të madh.
Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku zbulon veprimet e kryera ndaj ultrasve rebelë. 1 tifoz është arrestuar, 6 do procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Akuzat e shpallura nga Policia e Shtetit janë: “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Tifozi bardheblu me inicialet E.B, 29-vjeç, është arrestuar për marrje pjesë në sherrin e madh. Personi në fjalë ishte i dënuar më parë me masën “Arrest shtëpie”, që e kishte thyer për shkak të derbit.
Gjashtë të tjerët janë persona nga mosha 19-46 vjeç, ndërsa dy tifozët e shpallur në kërkim dyshohet se ishin autorët e hapjes së gropave gjatë një nate më parë, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike. /abcnews.al