Sherr pas ndeshjes Gjermani-Suedi

schedule16:20 - 24 Qershor, 2018

schedule 16:20 - 24 Qershor, 2018

Një konflikt i shëmtuar shpërtheu në fund të ndeshjes mes Gjermanisë dhe Suedisë. Skuadra skandinave akuzoi pjesëtarë të stafit gjerman për provokime.

Përfundimi nuk ishte aq i qetë sa u duk. Një konflikt i shëmtuar shpërtheu me t’u mbyllur ndeshja Gjermani-Suedi në Soçi, dhe shkak për të ishte një provokim.

Një pjesëtar i stafit gjerman iu afrua vendqendrimit të stafit suedez duke bërë gjeste ofenduese ndaj tij. Kaq mjaftoi që gjakrat të nxeheshin dhe që suedezët të ngriheshin nga stoli, duke iu vërsulur ofenduesit.

Njëri prej tyre madje e shtyu atë, ndërsa menjëherë u futën organizatorët e ndeshjes për t’i ndarë, si dhe u afruan gjermanët e tjerë. E habitshme që kjo i ndodhi përfaqësuesve të dy prej kombeve më të qetë dhe më të qytetëruar të botës.

Suedezët, gjithsesi, u shprehën pas ndeshjes se nuk ishin ofenduar vetëm nga njëri prej stafit të Gjermanisë, por nga disa prej tyre.

“Nuk ishte vetëm njëri, – u shpreh trajneri i Suedisë, Jane Anderson, – ai provokoi më keq, sepse erdhi tek ne, ndërsa disa të tjerë bënin gjeste drejt nesh pas golit. Ishte një sjellje e keqe. Luftuam për 90 minuta dhe në fund duhej të kishim shtrënguar duart, por ata u sollën aq keq”.

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, u përpoq të mbronte njerëzit e tij.

“Unë nuk pashë gjeste të tilla,- tha ai, –unë personalisht nuk bëra asnjë gjest, sepse e kishim mendjen tek festimi, tek përqafimet me njëri-tjetrin”.

Kjo ngjarje errësoi disi bukurinë e ndeshjes, ndoshta më dramatike të Botërorit deri tani, ndërsa FIFA pritet të nisë një hetim për sjelljen e gjermanëve, por ndoshta edhe për reagimin e suedezëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!