Sherr para GJKKO-së, Margjeka-policisë: 5 orë me sjellin rrotull, s’e dinë ku duhet të më çojnë

schedule12:47 - 12 Shtator, 2020

schedule 12:47 - 12 Shtator, 2020

Është shoqëruar me momente tensioni mbërritja e gjyqtares Mimoza Margjeka, në Gjykatën e Posaçme.

Në dyert e gjykatës ajo tha para mediave se ka pritur 5 orë sot për shoqërimin e saj, por policia nuk kishte pasur një urdhër të tillë.

“Keni bërë shkresa më pas për çdo gjë. Nuk dinit ku të më çonit. Më kanë çuan të shkalla e parë, më çuan në bodrum të gjykatës , tani erdhëm këtu. Turp”, tha ajo.

Gjyqtarja Margjeka, pohoi se ka të paktën një vit që pret arrestimin e saj.

Lexo edhe: “3 gjyqtarë, nga 2 mijë €”, pritet verifikimi i masës së sigurisë ndaj gjyqtares së Durrësit

Sa i përket ditës së sotme ajo pohoi se punonjësit e policisë që duhet ta shoqëronin nuk kanë pasur dijeni se ku duhet ta dërgonin. Ajo tha se nuk e dinin se ku duhet ta shoqëronin ndërsa theksoi se prej 5 orësh priste të shoqërohej në ambientet e Gjykatës.

Lexo edhe: Efektivët shkuan pa fletën e shoqërimit, shtyhet seanca e gjyqtares Markgjekaj

Sakaq ajo pohoi se është bërë një tjetër shkresë për ta shoqëruar atë, në ambientet e Gjykatës së Posaçme.

Margjeka u shpreh e irrituar edhe me vendimin e dhënë në mungesë ndaj saj  që më pas u bë edhe ekzekutimi.

Po ashtu bashkëshorti i saj ndodhet në qeli me masën e sigurisë “arrest në burg”, në akuzën e korrupsionit.

Pasi bashkëshorti i gjyqtares ka qenë personi që ka marrë dorazi edhe shumën e parave prej 6 mijë eurosh.

Tashmë ka nisur edhe seanca gjyqësore, për tu verifikuar dhe konfirmuar , pesë personave të akuzuar për korrupsion , masa e sigurisë.

Gjykatës e Shkallës së parë në Durrës, Mimoza Margjeka, për pesë muaj me radhë, ka qenë e komanduar në Gjykatën e Apelit të Korçës.

Hetimi

Çështja për të cilën akuzohet Mimoza Margjeka, bashkëshorti i saj si edhe avokati Skënder Demiri. Policia arrestoi në korrik të këtij viti një grup që transportonin klandestinë, mes tyre ishte edhe Orion Bali.

Fillimisht gjykata e Pogradecit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Balin, por familjarët ndërhynë përmes avokatit Demiri dhe përmes 6 mijë eurove synuan ndryshimin e vendimit në Apelin e Korçës nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Pas kontakteve të para, SPAK vuri në përgjim personat e dyshuar duke zbuluar se në skemë ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Arben Cara.

Vendimi për Durrësin

Mimoza Margjeka njihet si gjyqtarja që nuk njohu zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Durrës.

Margjeka ishte e vetmja që nuk i dha në shkallën e parë mandatin kryebashkiakes së PS që garoi vetëm, Valbona Sako.

Sipas saj zgjedhjet ishin nul, për shkak të regjistrimit të kandidates tjetër të BD-së për kreun e bashkisë, Valbona Sakollari, jashtë afateve të përcaktuara me ligj.

Valbona Sako e mori mandatin pasi Apeli pranoi kërkesën e PS-së duke rrëzuar vendimin e Margjekës, e cila nga Durrësi u transferua në gjykatën e Korçës, ku SPAK e kapi në një rast korrupsioni.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!