SHQIPËRI– Të gjitha shërbimet publike në vend do të ofrohen me Inteligjencë Artificiale.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se brenda vitit të gjitha transaksionet në vend do të analizohen me anë të Inteligjencës Artificiale.
Sipas kreut të qeverisë shërbimet online i kanë kursyer qytetarëve dhe bizneseve 620 milion euro.
Ky revolucion i planifikuar nga qeveria shqiptare u komentua nga ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj në emisionin “Money Report”.
Ajo u shpreh se përdorimi i AI është një domosdoshmëri për ekonominë shqiptare.
Sipas saj, përdorimi i saj kursen kohë dhe luan rolin efektiv në gërshetimin e të dhënave mbi një proces të caktuar.
“Çdo përdorim i paktë i AI, do të thotë se je më pak konkurrues dhe kjo do të thotë një izolim më i madh i ekonomisë. Përdorimi i inteligjencës artificiale është një domosdoshmëri për ekonominë. Përdorimi i inteligjencës artificiale bën të mundur kryqëzimin e të dhënave”, tha ajo.
Gjatë diskutimit me emisionin “Money Report”, Nunaj thotë se ky shërbim do të ulte më tej kostot e qytetarëve në çdo aspekt.
“Shërbimet online ulin kostot për qytetarët dhe bizneset. Inteligjenca artificiale do të bëjë verifikimin e dosjes. Nuk është se roli i njeriut do të shmanget. Futja e të dhënave hyrëse, pra inputet, kjo nuk e shmang rolin e njeriut, por rrit efektivitetin në punë”, u shpreh Nunaj.
Ekspertja e ekonomisë u shpreh se inteligjenca artificiale duhet të përdoret në shumë fusha të ndryshme, përfshirë në biznes dhe arsim dhe kjo qasje do të lehtësonte punën e mundimshme fizike të njerëzve.
“Për sa i përket inteligjencës edhe në arsim, jo vetëm në biznes. Me këtë rast përdorimi i këtyre programeve e lehtëson punën fizike të njeriut”, pohoi ajo/ abcnews.al