Milot Rashica shënoi sot golin e katërt në Bundesliga, duke e ndëshkuar Freiburgun pas katër minutash lojë. Edhe pse sulmuesi shqiptar i dha avantazhin Werderit, ekipi i tij nuk arriti të fitojë, duke u ndalur në barazim 2-2 në shtëpinë e tyre.
Pas këtyre dy pikëve të lëna, Rashica foli pas ndeshjes për faqen zyrtare të Werder Bremen, ku u shpreh i zhgënjyer me rezultatin e arritur: “Është gjithmonë mirë kur shënon, por do të isha më i lumtur nëse skuadra do të fitonte.
E kontrolluam shumë mirë ndeshjen për pjesën më të madhe, u ndëshkuam në fund, është për të ardhur keq. Megjithatë, marrim gjërat pozitive nga kjo ndeshje dhe ecim përpara”, tha Rashica. Përveç katër golave të shënuar, sulmuesi shqiptar ka asistuar dy herë për shokët e ekipit, duke qenë padiskutim lojtari më i mirë për Werderin këtë sezon./abcnews.al