Në këtë ditë kur përkujtohet bamirësja shqiptare me famë të përbotshme, kreu i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj apeloi për më shumë vëmendje ndaj njerëzve në nevojë.
Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi drekë në të gjitha qendrat e saj sociale. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën për njerëzit në nevojë në Qendrën Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila mban emrin e bamirëses së madhe, “Gonxhe Bojaxhiu”.
“Mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën, nuk është duke dhënë leksione e duke bërë histori, por duke u sjellë si ajo. Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë”.
Bashkia e Tiranës ka hapur në këto 4 vite disa mensa sociale në të gjithë kryeqytetin, duke iu gjendur më pranë njerëzve në vështirësi.
“Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”.
Po ashtu, në nderim të figurës së shenjtores shqiptare, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe këshilltarë, vendosën kurora me lule në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. /ABC news Albania 24/7