Shenja plumbash në xhamin e përparmë, makina ku u sulmua anëtari i bandës së Niklës

schedule11:25 - 10 Qershor, 2022

schedule 11:25 - 10 Qershor, 2022

Është publikuar fotoja e makinës, në të cilën  u qëllua me armë zjarri të mërkurën e 8 qershorit, anëtari i bandës së Niklës, Mariglen Haka.

Në foton e siguruar nga abcnews.al vërehen shenjat që kanë lënë plumbat në xhamin e përparmë të makinës  tip Golf 6.

Në dëshminë e tij Haka ka thëne se në momentin që ishte afruar në kryqëzimin e Niklës për të  marrë rrugën Fushë  Krujë – Tiranë, pas një godinë atje ka qendronte  i fshehur personi që e qëlloi me armë.

Autori ka dalë dhe ka qëlluar në drejtim të tij me 20 plumba kalibër 9 milimetra duke e lënë të plagosur.

Kanë qenë bashkëfshatarët e tij ata që e kanë dërguar Mariglenin te spitali i Traumës në Tiranë. Aktualisht Haka ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Ndër të tjera, Marigleni ka pohuar se nuk e ka njohur autorin.

Deri më tani nuk ka  persona të shoqëruar lidhur me atentatin ndaj anëtarit të bandës së Niklës.

Dëshmia e Hakës:

“Po udhëtoja me mjetin e Volswagen në drejtim të Niklës. Sapo kam përshkuar disa metra në rrugën e Niklës jam qëlluar nga një automjet tjetër për të cilin, targën dhe llojin e mjetit nuk e di. Mjeti më ka ndjekur nga pas dhe në një moment kur kam ndaluar jam qëlluar me breshëri duke mbetur i plagosur në fytyrë. Më pas makina është larguar nga vendi i ngjarjes.”

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që kryhet atentat, ndaj Hakës,  pasi mbrëmjen e 20 shtatorit të vitit 2019-të, në banesën ku ai qëndronte u qëllua mbi 100 herë me plumba, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë Haka dhe halla e tij Shpresa Basha 50-vjeçe, e cila më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

Ndërkohë që personi që i shoqëroi në spital mbrëmjen e 20 shtatorit të vitit 2019-të Mariglenin dhe hallën e tij ishte vëllai i Durim Bamit, Valter Bami.

ÇFARË DEKLAROI MARKLEN HAKA PËR NGJARJEN

““Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 2100 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla ime Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte dhe djali i xhaxhait tim Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 23:00, dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë time. Erdhi tek unë dhe më tha se tek skarpati e lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit. Të dy kanë dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën Shpresën kemi dalë tek porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku, po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë. Kam ikur me vrap dhe kam hyrë tek shtëpia e xhaxhait dhe i kam kërkuar atij të më dërgonte në spital, pasi po humbisja shumë gjak. Familjarët ishin të hutuar, pasi po kërkonin Ervisin dhe Gustin. Unë kam telefonuar shokun tim, Indrit Rraja që të vinte me makinë dhe të më dërgonte në spital. Nuk i kam parë personat që më qëlluan, pasi ishte errësirë. Dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë konflikt dhe nuk dyshoj tek askush”

KUSH ËSHTË MARKLEN HAKA

I njohur ndryshe dhe si Marklen Haka i lindur me 04.04.1991 është një personazh i njohur për policinë. Si një prej të “fortëve” të Fushë – Krujës 28 vjeçari u arrestua në Shtator vitin 2019-së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës. Ata u vunë në pranga për posedim pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike. Bashkë me të u arrestua edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, pikërisht personi që sonte transportoi në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin që ranë pre e atentatit të armatosur.

KUSH KËRKON ELIMINIMIN E TIJ?

Por kush qëndron pas atentateve që i janë bërë Marklen Hakës. Siç dihet lufta mes bandave të Niklës dhe Fushë-Krujës, jo pak herë ka ngrënë edhe “koka” njerëzish, ku në shumicën e ngjarjeve kanë mbetur pa autor. Por gjithçka duket se nis pas vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli në 13 qershor të vitit 2011 në Tiranë, për të cilën Marklen Haka ishte i dyshuar nga policia dhe u shoqërua, por më pas u lirua për shkak se dy dëshmitaret thanë se vrasësi ishte me mjekër.

ÇFARË NDODHI NË 13 QERSHOR 2011-të?

Marklen Haka u arrestua për herë të parë më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes.

“Më ka marrë Policia më datë 14 qershor. I thanë nja dy vajzave aty: ‘A është ky ai personi?’. Ato thanë: ‘Jo, se ai (autori) kishte mjekër’. Tani s’e di unë, jam dakord me çfarë tha avokati dhe nuk kam gjë për të shtuar”, u shpreh Haka gjatë seancës 8 vite më parë. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.

Mesa duket pavarësisht arrestimeve të vazhdueshme dhe atentateve, asnjëherë nuk ka patur një person të identifikuar nga ana e policisë, se kush e kërkon eliminimin e Mariglen Hakës.

/abcnews.al/