Shëndeti mendor, rastet në rritje/ Në Spitalin psikiatrik të Elbasanit vetëm tre shtretër bosh

schedule15:15 - 24 Gusht, 2023

schedule 15:15 - 24 Gusht, 2023

Mjekët psikiatër në Elbasan ngrenë shqetësimin se po rritet numri i të rinjve që shfaqin probleme të shëndetit mendor.

Përdorimi i lëndëve narkotike dhe alkoolit janë shkaqet kryesore.

“Kryesisht për shkak të abuzimit me substance narkotike apo me alkool, pjesa më e madhe e të rinjve shfaqin çrregullime psikologjike ose humori të shkaktuara nga përdorimi i substancave”, ka thënë mjeku.

Mjeku Andi Andoni thotë se përveç vizitave janë rritur edhe shtrimet në spitale.

“Gjendja e tyre shkon edhe drejt hospitalizimeve në spitalin tonë psikiatrik për shkak se përdorimi I tepërt i alkoolit shkakton psikoza, sjellje agresive dhe tashmë të udhëhequra nga problemet e shëndetit mendor nuk mund të menaxhohen nga familjarët”, është shprehur ai.

Gjatë verës në shtimin e rasteve ndikojnë edhe temperaturat e larta.

“Rrit ndjenjën e ankthit të stresit, ose temperaturat e larta shtojnë më shumë ankth te pacientët”, ka thënë mjeku psikiatër.

Rritja e numrit të personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor po çon drejt ezaurimit edhe kapacitetet në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Te lire jane vetem tre shtreter.

Aktualisht të shtruar janë 315 pacientë ndërsa i gjithë Spitali Sadik Dinçi ka në total 318 shtretër./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!