Pranë Apolonisë antike dhe qytetit mesjetar të Spinaricës, Kisha e Shën e Premtes në Fier, ishte një destinacion popullor që në fillimet e saj. Ishte një lidhje e fortë mes banorëve dhe kishës, që vazhdon edhe sot duke i atribuar kësaj të fundit mrekulli si shërimi i të sëmurëve.
Për Maksi Zarkën, studiues i folklorit myzeqar, pelegrinazhi dhe besimi i palëkundur i banorëve me Shën e Premten, zë fill nga tradita pagane kur 26 korriku festohej si dita e perëndisë ilire “premje”. Zarka citon Faik Konicën i cili nga ana e vet i referohet një albanologu gjerman.
“Kisha e ka emrin Shën e Premte, emri i një perëndie ilire, të cilën krishtërimi pati fatin e madh që e shoqëroi këtë perëndi dhe e bëri në statusin e një shenjtoreje. Simbolizon perëndinë pjellore dhe të mirëqënies.”
Zarka shkon më tej në tezën e tij duke evidentuar edhe atributet që kishte “premja” në mitologjinë ilire dhe Shën e Premtja në krishtërim.
“Sipas traditës së Myzeqesë, që para krishtërimit dhe pas krishtërimit, data 26 korriku ishte data e ardhjes pranë institucioneve ku kishte kisha të Shën e Premtes. Nuk është vetëm kjo në Fier, ka në të gjithë Shqipërinë. Ditën e 26 korrikut, bëhej dhe një lloj parje ndërmjet të rinjve, duke dhënë pëlqimin. Ata visheshin me të bardha, si djemtë edhe vajzat. Traditë pagane.”
Sipas tij “premja” ishte perëndi e pjellorisë dhe Shën e Premtja e Fierit gjithashtu besohej se ndihmonte çiftet që të lindnin fëmijë.
“Kishte edhe çifte të reja më vonë, do vinin këtu të flinin dhe me qëllim që të mbeteshin shtatzënë dhe të lindnin fëmijë.”
Sot kisha e mrekullive është vështirësisht e vizitueshme. Ruzhdi Hoxha që banon pranë saj, ka hapur një shteg për vizitorët, por siç thotë, kjo nuk është zgjidhje.
Monument kulture që në kohën kur objektet e kultit u shembën, ndërtesa i ka mbijetuar më tepër se 7 shekujve, por nuk dihet nëse do të vazhdojë të jetë aty edhe pas disa vitesh.
Një projekt restaurimi ka vite që përflitet, por ende nuk është zbatuar.
Kisha është ndërtuar në fund të shekullit XIII dhe besohet se është prova e vetme e mbetur nga qyteti port i Spinaricës./abcnews.al