Në të gjithë vendin nis të hënën e javës së ardhshme, pastrimi i vijës bregdetare dhe jo vetëm, nga ndërtimet pa leje dhe në shkelje me ligjin.
Nga Shëngjini, ku Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, drejtues të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të mbrojtjes së territorit, apeloi për shkelësit që të marrin masa brenda kësaj kohe, duke pastruar apo prishur në mënyrë vullnetare ndërtimet pa leje.
Operacioni “Bregdeti Ynë” synon pastrimin e bregdetit e territorit dhe çuarjen para ligjit të gjithë shkelësit. Ndërkohë dosjet për çdo subjekt shkelës, sipas ministrit të Brendshëm Çuçi, janë përmbyllur tashmë, ndërsa pas zonës së bregdetit, operacioni do të vijojë edhe në anët e rrugëve nacionale, për t’i pastruar nga ndërhyrjet e paligjshme.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Territorit kanë konstatuar të gjitha ndërhyrjet e reja dhe janë në përfundim të fazës së njoftimit të këtyre subjekteve.
Në takimin që Kryeministri Rama zhvilloi me drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij operacion u shpreh:
“Kjo është një punë që po zhvillohet intensivisht në Ministrinë e Brendshme. Operacioni fillon të hënën e ardhshme dhe unë dua që t’jua përcjell këtë mesazh të gjithë atyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit: Të lexojnë Kodin Penal e menjëherë të marrin masa tani, se do jetë vonë nga e hëna. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga Policia e Shteti dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejtë për këto shkelje të rënda e të fillojnë t’i prishin vetë.
Dua t’jua bëj shumë të qartë të gjithë zinxhirit, që nga inxhinierët tek punëtori më i fundit që përfshihen në këto ndërtime, me Kodin e ri Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë se nuk mundet dot të thuash që unë jam një punëtor, më morën e nuk di çfarë bëj, se është njësoj si të thuash unë jam një punëtor, më morën të mbillja bar, por në fakt, unë mbillja kanabis. Është e njëjta gjë dhe të gjithë do të ndalohen e do të penalizohen.
Edhe më e rëndësishme është që kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, është bërë çfarë janë bërë në të shkuarën, por nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara, tërmeti, pandemia e të tjera, të bubrrojë përsëri, nën vështrimin indiferent të disa strukturave dhe policisë që e kanë për detyrë, aktiviteti i paligjshëm. Është e pamundur, është e patolerueshme, është e pajustifikueshme.
SHÇBA-ja do i shkojë deri në fund kësaj pune, por njëkohësish dhe punonjësit e policisë duhet të jenë të mirëinformuar që njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike, edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi. Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje, je ti përgjegjësi se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejtë, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet e kjo do të thotë që ti je bashkëpunëtor në shumë raste.
Unë dua që t’i jap një mesazh shumë të qartë të gjithë cenuesve të gjithë kësaj pasurie. Tërhiquni tani, përfitoni nga këto ditë për të hequr nga aty, atë që keni bërë. Me një kat, me dy kate, me 4 kate, në çfarëdo lloj situate që të jetë, do shembet. E jo vetëm që do shembet, por do mbani edhe pasoja.
Ligji detyron ata që ndërtojnë pa leje që të pastrojnë. Kjo gjë, gjithnjë është lënë pas dore. Natyrisht që nuk do i lëmë grumbullimet e inerteve aty, por ama kush nuk do t’i pastrojë vetë, do paguajë rëndë edhe koston e pastrimit”. /abcnews.al/