Aktivistja Doriana Musai komentoi vendimin e autoriteteve për të shembur asamblin e vilave historike në rrugën Kont Urani në kryeqytet. Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Doriana tha se shembja e këtyre objekteve historike bëhet për t’i lërë vend ndërtimit të një kompleksi pallatesh shumëkatësh.
“Është denoncuar prej kohësh, kam qenë dhe pjesë e një projekti me Citizen Channel, me qëllim evidentimin e kësaj problematike që po haset në të gjitha rrugët e Tiranës dhe ka një shtrirje në të gjithë shtresën urbane në vitet ’40. Janë me qindra vila, të cilat, përveçse përfaqësojnë një shtresë historike, ajo që dua të vë theksin është që për komunitetin e Tiranës mbart vlera kulturore dhe me zhdukjen e tyre po zhduket dhe kultura që ky qytet mirëpriti të gjithë qytetarët.“, tha ajo.
Ajo thotë se disa banorë kanë mbetur në rrugë të hapur pasi janë detyruar të dalin nga banesa. “Nga Bashkia Tiranë, kërkesat shkojnë në vesh të shurdhër. Ministrisë së Kulturës i është bërë pyetje nga gazetarët nëse ka një plan të restaurojë këto objekte, përgjigjja ka qenë se nuk kemi patur dhe nuk ka asnjë fond për restaurimin për të paktën 5 vitet e ardhshme. Kjo ishte përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Kulturës.”, tha ajo. /abcnews.al


