Shembja e digës, dhjetëra të vdekur dhe qindra të humbur

schedule20:43 - 27 Janar, 2019

schedule 20:43 - 27 Janar, 2019

Është rënduar ndjeshëm bilanci i viktimave të shembjes së digës në jug-lindje të Brazilit. Ndërsa numërohen edhe disa qindra të humbur, operacionet e kërkimit janë penguar nga terreni i vështirë dhe prania e baltës.

Janë 34 viktimat dhe mbi 300 të humburit nga shembja e digës ditën e premte në jug-lindje të Brazilit, ku ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për të gjetur të mbijetuarit. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shembjen e strukturës në afërsi të qytetit Brumadinjo, e menaxhuar nga kompania më e madhe e minierave të Brazilit, “Vale”.

Grupit në fjalë i janë ngrirë 1.6 miliardë dollarë në llogaritë bankare, të cilat do t’u shkojnë në ndihmë familjeve të viktimave, punëtorëve të lënduar, si dhe për riparimin e dëmeve në infrastrukturë. Shembja e digës shkaktoi një dallgë masive balte, që varrosi një pjesë të zonës përreth, përfshirë këtu një mensë ku punëtorët po konsumonin drekën dhe një autobus që po transportonte kolegët e tyre.

Ditën e shtunë, shërbimet e emergjencës përdorën helikopterë për të transportuar të mbijetuarit dhe fadroma për të larguar baltën. Mësohet se mbi 360 vetë janë shpëtuar, 23 prej të cilëve janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë, kompania që menaxhon digën ka deklaruar se ka humbur kontaktet me 252 punonjës dhe kontraktorë të saj. Të humbur raportohen gjithashtu disa banorë dhe mysafirë të një kompleksi që ndodhej pranë digës. Operacionet e kërkimit janë penguar nga terreni i vështirë dhe shtresa e baltës, e cila ka nisur të ngurtësohet./abcnews.al