Shembja e banesave te “5 Maj”, Ballanca: Kontrata nuk krijon garanci të mjaftueshme për banorët

schedule19:34 - 19 Janar, 2022

schedule 19:34 - 19 Janar, 2022

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca vlerëson se sjellja e policisë ditën e sotme te “5 Maj” në Tiranë ku u nxorën nga banesat qytetarët, pasi nisën shembjet ishte më ndryshe. Në një intervistë në Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Ballanca u shpreh se sjellja ishte më e butë.

“Ne jemi mbledhur këtu edhe për raste më të rënda dhe prandaj ka një sjellje tjetër. Ndryshe nga shpronësimet e tjera ky rast është duke i ndihmuar dhe duke u dhënë një sipërfaqe edhe atyre qytetarëve që nuk kanë një titull pronësie. Më herët kjo është bërë në vitin 2013 nga qeveria Berisha dhe ky është rasti i dytë”, tha ajo.

Problemi, sipas Avokates së Popullit qëndron te kontrata. Sipas saj kjo kontratë nuk krijon garanci të mjaftueshme për banorët. Ballanca thekson kontrata nuk e specifikon se kur përfundon projekti.

“Kontrata nuk krijon garanci të mjaftueshme për të gjithë qytetarët se kur do ta marrin këtë objekt, pra afati kohor. Bashkia pretendon se nuk e ka të mundur ta dijë tani procesin e realizimit. Por një parashikim paraprak duhet të jepet. Banorët do të trajtohen me bonus qiraje. Ajo kontrata parashikon dhe thotë se në momentin që lidh një kontratë me bashkinë heq dorë nga e drejta jote për ankimim”, u shpreh Avokatja e Popullit.

Prej kohësh banorët e “5 Majit” në Tiranë kanë protestuar kundër prishjes së banesave të tyre, pasi preken nga projekti i ndërtimit të lagjes së re. Në pallatet e reja që do të ndërtohen do të strehohen familjet, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!