Shembet ura, rreth 350 familje të izoluara

schedule22:20 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 22:20 - 1 Dhjetor, 2017

Orët fundit kanë sjellë përkeqësim të situatës edhe në Sarandë.

Për shkak të ujërave të furishëm, Ura e Vanës është shembur duke izoluar rreth 350 familje që jetojnë në fshatin Vanë. Ura prej hekuri shërbente për të lidhur fshatin me Delvinën.

Ndërkohë rruga hyrëse në Sarandë, prej Urës së Gajdarit është më e vështira për t’u kaluar, edhe për shkak të punimeve që kryhen për investimin rehabilitues.

Dhjetëra hektarë tokë, që shtrihen në të dy krahët e Urës së Gajdarit, gjenden të përmbytura nga vërshimi i ujërave të Kalasës.

Lufta me kohën dhe shiun vazhdon që prej pasdites së sotme e në vijim në argjinaturën e fushave të Çukës.

Operacioni për mbathjen e argjinaturës me material inert, në segmentin e çarë nga forca e ujit, ka kërkuar angazhimin e mjeteve të rënda dhe përdorimin e thasëve me rërë, për të bërë bllokimin e ujërave dhe moslejimin e përmbytjes së mëtejshme të tokave, për të rivendosur qarkullimin e automjeteve dhe për të parandaluar dëmtime në bagëti të tufave që kullosin në këtë zonë. Operacioni për ta rifituar argjinaturën vijon, megjithë shiun që përsëritet dhe kushtet e ndriçimit të kufizuar.

Bashkia e qytetit thotë se disa familjeve rome, me banesa të dëmtuara nga shirat në fshatin Çukë u janë ofruar mundësi e kushte jetese dhe trajtim ushqimor në konviktin e shkollës së mesme Hoteleri-Turizëm./tvklan.al