Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas shembjes së dy urave gjatë natës në dy rajone ruse që kufizohen me Ukrainën. Dy incidentet e ndodhura, të ndara nga njëra tjetra shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë duke sjellë ndërprerje të transportit hekurudhor.
Incidenti i parë ndodhi në rajonin e Bryanskut, rreth 100 kilometra nga kufiri me Ukrainën, ku një urë u shemb ndërsa mbi të po kalonte një tren pasagjerësh dhe disa kamionë. Guvernatori rajonal, Aleksandër Bogomaz, konfirmoi se të paktën shtatë persona humbën jetën, ndërsa 47 të tjerë u plagosën dhe u shtruan në spital duke përfshirë edhe një fëmijë.
Sipas hekurudhave të Moskës, ura u shemb si pasojë e një “ndërhyrjeje të paligjshme”, duke lënë të nënkuptohet një akt i mundshëm sabotimi. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë vagonë të dëmtuar rëndë dhe pasagjerë që ndihmojnë njëri-tjetrin për të dalë nga rrënojat në errësirë.
Pak orë më pas, një urë tjetër u shemb në rrethin e Zheleznogorskut në rajonin fqinj të Kurskut, duke shkaktuar daljen nga shinat të një treni mallrash dhe shpërthimin e një zjarri. Sipas guvernatorit të këtij rajoni njëri nga makinistët mbeti i plagosur në këmbë. Ai shtoi se shkaku i shembjes është ende në hetim dhe të gjitha shërbimet emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes.
Prokuroria e transportit ndërajonal të Moskës ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e te dyja ngjarjeve. Deri më tani nuk ka një konfirmim nëse dy incidentet janë të lidhura mes tyre, dhe autoritetet ukrainase nuk kane marre përgjegjësinë nëse kanë kryer ndonjë sulm ndaj hekurudhës se Moskës.
/abcnews.al