Pesë minatorë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një galerie në një minierë në Soma, në provincën Manisa të Turqisë perëndimore.
Aksidenti ndodhi të enjten, ndërsa nëntë? jo — shtatë punëtorë ndodheshin brenda minierës në momentin e shembjes. Ekipet e kërkim-shpëtimit nisën menjëherë operacionin për gjetjen e personave të bllokuar nën tokë.
Dy minatorë u nxorën fillimisht nga galeria pa shenja jete, ndërsa dy të tjerë arritën të shpëtoheshin dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Tre punëtorët e tjerë vijuan të ishin të bllokuar nën tokë deri në orët e para të së premtes, kur ekipet e shpëtimit gjetën trupat e tyre.
Pas përfundimit të operacionit, autoritetet lokale konfirmuan se numri i viktimave kishte shkuar në pesë. Për momentin, ende nuk janë bërë të ditura hollësi të plota mbi faktorët që shkaktuan shembjen e galerisë.
Soma ndodhet rreth 100 kilometra në verilindje të Izmirit dhe është një prej zonave minerare më të njohura të Turqisë. Rajoni është përballur edhe më herët me një tragjedi të rëndë. Në vitin 2014, një zjarr nëntokësor në një minierë në Soma shkaktoi vdekjen e 301 minatorëve, në një prej katastrofave më të rënda të industrisë minerare në vend.
Pas incidentit të fundit, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe për të sqaruar përgjegjësitë lidhur me aksidentin.


