BURREL- Një masiv dheu ka zënë poshtë drejtuesin e një fadrome në fabrikën e pasurimit të kromit, në vendin e quajtur si “Qafa e Burrelit”.
Kjo fabrikë thotë policia është marrë me qira nga një shoqëri kineze.
Shërbimet e Policisë së bashku me ekipet e emergjencës ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për gjetjen e punëtorit. Punëtori ishte duke punuar me fadromë për gërryerjen e një rezervuari.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 14:00, në qafën e Burrelit, në fabrikën e pasurimit të kromit, e marrë me qira nga një shoqëri kineze teksa po punonte me një automjet fadromë për gërryerjen e një rezervuari, dyshohet se është shembur një masiv dheu dhe, për pasojë, ka zënë poshtë punëtorin bashkë me mjetin e punës.
Shërbimet e Policisë dhe ato të ekipit të urgjencës po punojnë për gjetjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.