Shembet asfalti i rrugës Berat-Sinjë, rrezik për qarkullimin e makinave

schedule21:29 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 21:29 - 11 Dhjetor, 2021

Rruga e asfaltuar Berat-Sinjë ka pësuar dëmtime në krahun e majtë. Asfalti është rrëzuar rreth 3 km në hyrje të fshatit Sinjë, duke përbërë rrezik serioz për automjetet që qarkullojnë në këtë rrugë.

Pamundësia për të ndërhyrë për shkak të errësirës dhe reshjeve të shiut ka detyruar bashkinë e Beratit që të rrethojë zonën e shembur dhe të vendosë në të dyja anët e saj, në hyrje dhe në dalje të Sinjës, tabela sinjalizuese për uljen e shpejtësisë dhe rrezikun që u kanoset drejtuesve të mjeteve në këtë pjesë të rrugës Bashkia e Beratit u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të shmangin e kufizojnë lëvizjet e panevojshme drejt zonës malore të Sinjës, deri sa situata të përmirësohet dhe rrëshqitja e rrugës të ndalet.

Burimet zyrtare të bashkisë Berat bëjnë me dije se pas pastrimit të rrugëve nga gurët tashmë janë të kalueshme edhe rrugët drejt fshatrave malore: Karkanjoz, Bogdan, Qafë Dardhë dhe Mbolan.

Njoftimi i Bashkisë Berat:

Vazhdojmë konsolidimin e grupeve të terrenit për përballimin e situatës së krijuar nga intensiteti i lartë i reshjeve. Grupet e punës janë në terren në mënyrë që të parandalojnë problematiket e krijuara. Ju sugjerojmë të kufizoni lëvizjet deri sa situata të përmirësohet. Lëvizjet në drejtim të fshatit Sinjë të kufizohen si rrjedhojë e reshjeve të shumta deri në përmirësimin e rrëshqitjeve të rrugës kryesore. Strukturat e emergjencave në Bashkinë Berat do të vazhdojnë intensivisht procesin e kontrollit raportimit dhe ndërhyrjeve në gjithë qytetin.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!