Shehu: Telefonata e Trump me Vuçiçin, ngjarje shqetësuese. Minxhozi: Në sondazhet e fundit, Serbia ka dalë shteti më pro Trump

schedule21:06 - 11 Nëntor, 2024

schedule 21:06 - 11 Nëntor, 2024

Ish kryetari i PD-së dhe ish ministri i Jashtëm, Tritan Shehu e ka konsideruar shumë shqetësuese telefonatën e Donald Trump me Aleksandër Vuçiç.

Ai ka thënë në emisionin “Real Story” se tashmë qendra e gravitetit të rajonit është Serbia. Ndërsa, analisti Skënder Minxhozi i ka shpjeguar arsyen e kësaj telefonate, duke theksuar se ndodhi pasi në sondazhet e fundit, Serbia ka dalë shteti më pro Trump.

“Mos të harrojmë që në 2005, Berisha erdhi prapë në pushtet dhe ndejti 8 vjet. Edhe Bushi erdhi në Tiranë dhe nga Tirana shpalli pavarësinë e Kosovës, hyrjen në NATO të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Pra, Shqipëria u bë qendra e stabilitetit të rajonit tonë. Mos ta harrojmë këtë gjë. Po ai Berishë ishte. E shikon që gjërat ndryshojnë dhe shpejt.

Sot çfarë ndodhi? Një ngjarje shumë shqetësuese. Trump foli në telefon me Vuçiçin. Mendoj që qendra e gravitetit të rajonit tonë është Serbia, sepse Rama e ka bërë këtë gjë, me politikat e tij”, u shpreh Shehu.

“Ju si Ministër i Jashtëm e dini peshën, vërtetë nuk ka ardhur Xhorxh Bush po të jemi objektiv, por Tirana ka organizuar disa evente jo të vogla dhe në rang europian. Rol drejtues në rajon Shqipëria nuk ka pasuar asnjëherë. Ajo është çështje miliona popullsie. Po ju rikujtoj që Serbia e ka marrë atë telefonatën nga Trump sepse në sondazhet e fundit ka dalë shteti më pro Trump në këtë garën e madhe Harris Trump. Është një realitet i ndryshëm gjeopolitik dhe e ka mirë politikën me Kinën, Rusinë, është një shtet që mundohet të hajë nga të gjithë krahat. Realisht një telefonatë duhet të na fusë në mendime, sepse me sa di unë telefonata ishte e Trump për Vuçiç dhe jo e Vuçiç për Trump. Drejtimi i telefonatës mua më bën të mendoj që ka pasur një vullnet nga Uashingtoni”, tha Minxhozi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!