Java e 21-të ka rezervuar sfida vërtetë të luftuara, ku përballja Laçi-Kukësi është njëra prej tyre, takim që do të luhet ditën e diel, ora 13:45.
Kjo përballje do të luhet në Laç, me kurbinasit dhe verilindorët që kërkojnë të vendosin “diktatin” e tyre për vazhdimësinë e rezultateve pozitive në kampionat.
Një nga titullarët e padiskutueshëm të bardhezinjve, është Julian Shehu, iu cili ka paralajmëruar Kukësin që nga stadiumi i Laçit nuk do të dalin me pikë, sipas prononcimit për “Panorama Sport”
Mesfushori i kurbinasve pohoi se do të luajnë për fitore, ndërsa nuk e kanë mendjen shumë te Tirana apo gabimet që mund të bëjnë rrugës.
“Me Kukësin do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Unë shpresoj që të mbajmë këtë ecuri dhe të marrim tri pikët. Luajmë në shtëpinë tonë dhe nuk na lejohen hapat fals. Tirana? Ne shohim vetëm rezultatet tona. Është me rëndësi të fokusohemi tek ecuria jonë dhe kështu besoj do të bëjmë më mirë”, ka theksuar Shehu. /f.a/abcnews.al