Shehu: Futbolli kështu është, penalltia dhe kartoni i kuq ndryshuan lojën

schedule19:00 - 2 Shtator, 2022

schedule 19:00 - 2 Shtator, 2022

“E nisëm mirë ndeshjen dhe e kishim në kontroll, por diferencën e bëri episodi i penalltisë, ku morëm goditje të dyfishtë. Më pas pësuam edhe golin e dytë, ishim me 10 vetë dhe gjithçka u bë më e vështirë. Lojtarët shpenzuan shumë energji. Në pjesën e dytë luajtëm mirë, shënuam shpejt. Kërkuam deri në fund, por nuk arritëm që të ndryshonim rezultatin”, kështu do të shprehej fillimisht trajneri Orges Shehi pas sfidës me Vllazninë për “Oversport”.

Bardheblutë u mposhtën nga shkodranët 2-1 në sfidën e luajtur në “Selman Stërmasi”, teksa mbeten në kuotën e 4 pikëve në 3 ndeshje të luajtura në këtë sezon në “Abissnet Superiore”.

Shehi ndër të tjera shprehet se humbja e mërzit, por është i kënaqur me të tijtë për lojën që bënë në pjesën e dytë.

“Lojtarët i përgëzoj se në pjesën e dytë luajtën për përmbysje. U thashë lojtarëve në pushim, që të mos pësojmë më dhe të shënojmë sa më shpejt. I kishim rastet në pjesën e dytë, por i tillë është futbolli dhe duhet ta pranojmë. Me vjen keq për rastet që krijuam, kundërshtari u mbyll. Humbja të mërzit, por ne prodhuam shumë dhe kjo më gëzon.

Zëvendësimet ishin të detyrueshme. U shfaqëm te porta kundërshtare në pjesën e dytë dhe besoj se këto ndërrime funksionuan. Mbajtëm në presion kundërshtarin dhe kishim raste të pastra shënimi.

Zëvendësimi i Xhixhës? Konsumoi shumë energji. Ishte një ndeshje e mirë kjo për Tiranën, pavarësisht rezultatit. Provuam të gjithë potencialin sulmues që kemi.

Pozicioni i Hasanit? Hasani luan në krah dhe si numër 10 më mirë se qendërsulmues. Kemi Patrick për rolin e “pykës”, por ngaqë ka ardhur më vonë, sa të kapi formën dhe Hasani do të shkojë në pozicionin e tij natyral”, ka thënë tekniku i bardhebluve. /f.a/abcnewss.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!