Tirana-Kukësi është sfida më e fortë e javës së 19-të në Superiore. Një ndeshje ku nuk lejohen gabimet, përndryshe “lamtumirë” titull. Orges Shehi do të tentojë fitoren e tretë radhazi në stolin e bardhebluve, teksa përballë do të ketë Mirel Josën, e të cilin e kishte trajner dhe fituan së bashku te Skënderbeu.
“Nuk dua të merrem me statistika, kemi ndeshje të rëndësishme nesër. Vijmë pas rezultateve pozitive, kështu që do mundohemi të jemi në këtë ecuri. Kundërshtari dihet, ka në përbërje elementë cilësorë. Meriton vlerësim dhe respekt të madh.
Jemi të ndërgjegjshëm që në Kategorinë Superiore nuk ka ndeshje të lehta. Të gjithë kundërshtarët janë të rëndësishëm dhe të vështirë. Nesër nuk është provë për Shehin. Është ndeshja e radhës përballë një rivali. Duam të dalim sa më mirë dhe të jemi brenda objektivave.
Torassa? Akoma nuk është në 100%, por shpresojmë që sot të stërvitet. Patjetër që kemi cilësi në skuadër, por nuk na lejohen hapa fals. Në psikologjinë tonë duam të jemi ekip ofensiv. Kështu do të mundohemi të shprehemi në fushë me të gjithë lojtarët e gatshëm për të fituar“, deklaron trajneri durrsak, i cili ka një koment edhe për Ernest Muçin dhe përballjen me Mirel Josën, ish-trajnerin e tij.
“Në këtë situatë që është futbolli modern, këto zëra janë prezent. Aq më tepër që Muçi është xhevahir i skuadrës sonë dhe sigurisht që zërat mund ta shpërqendrojnë. Jo më larg se dje kam biseduar me të dhe ia përsëris përditë që të jetë i qetë. Nëse nuk ikën tani, do të largohet më vonë. Duhet të jetë i qetë për të dhënë maksimumin.
Josa? Është kënaqësi të kem përballë profesor Mirelin. Me të kam ndarë shumë momente të bukura dhe arritje të mëdha. Do ta takoj me përzemërsi“, përfundoi Orges Shehi. /abcnews.al