Orges Shehi, trajneri i Tiranës, në prag të ndeshjes derbi kundër Dinamos, foli për mediat dhe fillimisht u pyet për diferencën e madhe të krijuar me Laçin.
“Diferenca me Laçin? Është e vërtetë që kemi 10 pikë më shumë, por janë shumë ndeshje e pikë në lojë. Do fokusohemi te vazhdimësia dhe nuk duhet të mendojmë se çfarë distance kemi. Normalisht më pas bëhen edhe llogaritë. Kemi edhe 11 pengesa, e para nesër”.
“Ndryshimi i trajnerëve të konfuzon pak. Kur është një trajner që ka kohë e ke një panoramë më të qartë. Shpesh ndikon për mirë ndryshimi i trajnerit, në aspektin e motivimit”.
“Kemi bërë një kampionat të mirë, përballë të gjithë kundërshtarëve. Të gjitha ndeshjet derbi kemi luajtur mirë. Do futemi me synimin për të fituar. Dinamo ka lojtarë cilësorë, ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Dinamo do vlerësim për cilësitë që ka. Për ne është pengesa e parë për të shkuar aty ku duam”.
“Ndeshjet jashtë radhazi? Kështu është kalendari. Me mbylljen e Air Albania ne thuajse çdo ndeshje do ta luajmë jashtë. Përqendrimi ynë është te ndeshja kundër Dinamos.
“Janë 11 javë, 33 pikë në lojë. I frikësohemi vetes. Kampionatin e kemi me veten më shumë se me rivalët. Duhet të vazhdojmë për të arritur objektivin, që jemi afër, që të bëjmë krenarë tifozët dhe të gjithë pjesëtarët e klubit dhe skuadrës.” / abcnews.al