Tirana do të përballet me skuadrën e Teutës ditën e nesërme në “Air Albania”, ora 19:45.
Bardh e blutë vijnë në këtë takim pas humbjes së pësuar në Laç dhe ndaj djemve të detit kërkojnë rikthimin te fitorja për të mos rrezikuar më shumë edhe pozitat e tyre në vendin e parë në tabelën e klasifikimit.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për takim me Teutën, gjendjen e skuadrës dhe u ka dhënë fund zërave se Ennur totre do largohet nga skuadra kryeqytetase.
“Unë mendoj që futbolli është provim javë pas javë. Kur provimin e fundit nuk e bën mirë, përqendrohesh me gjithë forcat dhe impenjimin të bësh mirë provimin e radhës, që është ndeshja me Teutën. Duhet të ndryshojmë, si në mënyrë loje por edhe sa i përket rezultatit, sepse në Laç asnjëra nga të dyja nuk ishte në favorin tonë.
Presion? Nuk mendoj që grupi dhe fryma e skuadrës ka presion, sepse ka edhe shumë javë e shumë pikë në lojë. Kampionati është një maratonë e gjatë, do ketë ndalesa për të gjithë skuadrat. Është një ndeshje nesër që do duam të marrim maksimumin për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive, por pikët do vijnë edhe me lojë.
Teuta? Ndeshje e luftuar, e fortë me të gjithë komponentët e saj. Nuk përbën ndryshim trajneri, pasi i njëjti trajner kthehet, ka punuar rreth dy vite te Teuta dhe ka pasur sukses. Nesër do të bëjmë detyrat për të dalë fitimtarë.
Xhixha na kthehet pas një periudhe relativisht të gjatë. Do mendojmë deri në fund nëse do luajë nga fillimi apo do jetë në stol, por rëndësi ka që është rikthyer në stërvitje me skuadrën. Kemi humbur Najdovskin në Laç, një lojtar i rëndësishëm për ne. Mungesat do të jenë Përgjoni dhe Najdovski.
Totre te Shkëndija? Nuk frikësohemi aspak, Totre është lojtari ynë, ka kontratë 2-vjeçare. Kam qenë ndër të parët që kam kërkuar afrimin e tij në skuadër, ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Janë fjalë merkatoje, nuk ka asgjë të vërtetë”, ka deklaruar tekniku i bardh e bluve. /f.a/abcnews.al